Arrestohet ish-ndihmësi i Bolsonaros dhe katër të tjerë, dyshohen për komplot për të vrarë Presidentin brazilian

Bota

Arrestohet ish-ndihmësi i Bolsonaros dhe katër të tjerë, dyshohen për komplot për të vrarë Presidentin brazilian

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 16:35
Brazil

Policia braziliane arrestoi të martën pesë persona, duke përfshirë një anëtar të qeverisë së ish-presidentit Jair Bolsonaro, të dyshuar për përfshirje në një plan të dyshuar për të vrarë presidentin e zgjedhur Luiz Inacio Lula da Silva dhe zëvendësin e tij në vitin 2022, pak ditë para se të merrnin detyrën, tha policia.

Siç raporton “Reuters”, këto arrestime ishin hera e parë që policia federale përmendi në hetim një komplot për të vrarë Lulan dhe Geraldo Alckmin, të zgjedhurin e tij si zëvendëspresident, dhe për të kryer një grusht shteti për të ndaluar kthimin e tij në pushtet.

Shumica e të hetuarve janë personel ushtarak me trajnim të Forcave Speciale, tha policia në një deklaratë.

Dy burime të afërta me çështjen i thanë “Reuters”-it se njëri nga të arrestuarit ishte gjeneral brigade në pension Mario Fernandes, i cili më parë ka punuar si sekretar ekzekutiv i ish-presidentit të djathtë Bolsonaro.

Ai kishte në posedim planin për të vrarë Lulan, tha një nga burimet.

“U identifikua një plan i detajuar operacional i quajtur ‘Thikë jeshile dhe e verdhë’, i cili do të ekzekutohej më 15 dhjetor 2022, me qëllim vrasjen e kandidatëve të zgjedhur për president dhe nënpresident”, thuhet në njoftimin e policisë.

Oficerët e policisë federale kryen pesë urdhër-arreste të martën, tha policia pa dhënë asnjë emër, si dhe tre mandate kontrolli dhe sekuestrimi dhe 15 masa të tjera paraprake.

Këto përfshinin ndalimin e të dyshuarve për të kontaktuar me të tjerët dhe ndalimin e tyre që të largoheshin nga vendi.

“Nga hetimet rezulton se organizata kriminale ka përdorur një nivel të lartë njohurish tekniko-ushtarake për planifikimin, koordinimin dhe kryerjen e veprimeve të paligjshme në muajt nëntor dhe dhjetor 2022”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lula fitoi zgjedhjet presidenciale në tetor 2022, duke mundur presidentin e djathtë Bolsonaro dhe mori detyrën në janar 2023.

Një hetim i policisë federale do të arrijë në përfundimin se Bolsonaro komplotoi për të organizuar tentativën për grusht shteti pasi humbi zgjedhjet, i tha “Reuters”-it në tetor një burim me njohuri të drejtpërdrejta të hetimeve. Hetimi pritet të përfundojë këtë muaj.

Bolsonaro nuk ka bërë asnjë koment publik mbi akuzat për komplotin e grushtit të shtetit. “Reuters” tha se po përpiqej të kontaktonte përfaqësuesit e ish-presidentit dhe gjeneralit Fernandes për koment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat