Katër gazetare nderohen me çmime për raportimet e tyre të guximshme

Bota

Katër gazetare nderohen me çmime për raportimet e tyre të guximshme

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 20:30
Katër gazetare

Nga mbulimi i konflikteve deri tek sfidat ligjore dhe arrestimet, kërcënimi kundër lirisë së shtypit po rritet në mbarë botën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, katër gazetarë që janë përballur me këto sfida së fundmi u nderuan me çmimin vjetor Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit.

Nga redaksitë në Evropë, Gaza, Guatemala, Niger dhe Nju Jork, katër gazetare u nderuan për guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj lirisë së shtypit.

Me mbulimin e çështjeve kulturore, korrupsionin, mjedisin dhe luftërave, gazetaret e nderuara kanë prejardhje të ndryshme, por ato ndajnë përvojën e të qenit në shënjestër hetimeve kriminale për shkak të punës së tyre, thotë Jodie Ginsberg nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Grupi për lirinë e shtypit që ajo drejton organizon Çmimet Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit çdo vit.

“Gjithnjë e më shumë në mbarë botën ne po shohim një rritje të përdorimit dhe abuzimit të ligjeve për të ndëshkuar gazetarët që raportojnë të vërtetën mbi punën e qeverive dhe pushtetit”, thotë ajo.

Vitin e kaluar, Alsu Kurmasheva ndodhej në një qeli burgu në Rusi, duke u përballur me deri në 15 vjet burg për akuza të pabaza.

Një redaktore e radios simotër të Zërit të Amerikës, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, zonja Kurmasheva u lirua në kuadër të një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në gusht.

Në fjalimin e saj në ceremoninë e ndarjes së çmimit, zonja Kurmasheva theksoi se shumë gazetarë, duke përfshirë disa nga kolegët e saj, po mbahen në mënyrë të padrejtë nga autoritetet në mbarë botën.

“Dua të ndaj nderin e këtij çmimi sonte me kolegët e mi të Radios Evropa e Lirë që ndodhen pas hekurave për të ashtuquajturin krim të gazetarisë”, tha ajo.

Edhe fituesja tjetër e këtij çmimi, Samira Sabou është përballur me sfida ligjore. Një gazetare nga Nigeri, Sabou është përballur me arrestime dhe kërcënime ligjore për raportimet e saj mbi çështjet e qeverisjes.

Ajo planifikon të përdorë çmimin e saj për të përmirësuar situatën për gazetarët në vendin e saj.

"Është një çmim për lirinë e shtypit, kështu që ne planifikojmë ta përdorim atë për të punuar me drejtësi në përmirësimin e mjedisit të lirisë së shtypit", tha ajo.

Jo të gjithë fituesit ishin në gjendje të shkonin në Nju Jork. Gazetarja palestineze Shrouq Al Aila mbetet në Rripin e Gazës, ku po drejton kompaninë “Ain Media”. Kjo kompani u themelua nga bashkëshorti i saj dhe Al Aila mori drejtimin e saj pas vrasjes së tij gjatë mbulimit të luftës Izrael-Hamas.

Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, lufta aktuale mes Hamasit dhe Izraelit ka qenë një nga konfliktet më vdekjeprurëse për gazetarët.

“Jo vetëm që ka qenë e pamundur për gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gazë, por gjithnjë e më shumë, është duke u bërë pothuajse e pamundur që gazetarët apo dikush tjetër të dalin nga Gaza”, thotë Jodie Ginsberg nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Në një kohë kur gazetarët globalisht po përballen me një sërë sfidash në rritje, takimi mbi lirinë e shtypit është një moment për të festuar punën e atyre që sakrifikojnë aq shumë për t'i sjellë audiencës lajmet e sakta./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat