Dukej se konferenca botërore e klimës do të dështonte, por në momentin e fundit u arrit marrëveshje. Çfarë parashikon ajo? Në konferencën e OKB-së për klimën në Azerbajxhan, u arrit një marrëveshje për një rritje të konsiderueshme të ndihmave për klimën për vendet më të varfra. Deri në vitin 2035, të paktën 1.3 bilionë dollarë amerikanë (rreth 1.25 bilionë euro) duhet të sigurohen çdo vit, nga të cilat 300 miliardë dollarë do të vijnë kryesisht nga vendet e industrializuara.
Këto fonde duhet të ndihmojnë vendet në zhvillim të financojnë masat për mbrojtjen e klimësdhe të përshtaten me pasojat katastrofike të ngrohjes globale, si thatësirat më të shpeshta, stuhitë dhe përmbytjet.
Pak detyrime konkrete
Për të mbledhur 1.3 bilionë dollarë në vit, marrëveshja kërkon që bankat shumëpalëshe të zhvillimit të rrisin ndjeshëm kreditimin ose të shlyejnë borxhet e vendeve të varfra. Paratë publike dhe bankare duhet të nxisin edhe investime të mëdha private, të cilat gjithashtu do të llogariten si financim i luftës kundër ndryshimeve klimatike. Përveç kësaj, vendet e tjera donatore duhet të inkurajohen të marrin pjesë në këtë proces.
Megjithatë, kritikët theksojnë se apeli është shumë i paqartë dhe se askush nuk është përgjegjës në mënyrë specifike për arritjen e këtij qëllimi global. Për shembull, Gjermania, si dhe vendet e tjera, nuk është e detyruar nga kjo marrëveshje të ndajë një sasi të caktuar fondesh.
Kompromisi u arrit pjesërisht sepse mbeti e paqartë se si do të mblidheshin saktësisht paratë që do të jetë detyra e konferencës së ardhshme të klimës nëBrazil.
Konferenca ishte në prag të dështimit
Propozimi fillestar i presidencës së Azerbajxhanit parashikonte një rritje të fondeve në 250 miliardë dollarë në vit, me theksin që vendet e industrializuara "të marrin drejtimin". Ky propozim u refuzua nga vendet në zhvillim si i pamjaftueshëm. Ato shqetësoheshin edhe nga dispozitat e paqarta se kush do të ishte dhuruesi.
Konferenca, e cila u zgjat për më shumë se 30 orë, ishte në prag të dështimit. Disa orë para përfundimit, disa vende u larguan përkohësisht nga negociatat.
Ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbock akuzoi Azerbajxhanin, se ka injoruar në negociata interesat e shteteve ishull që janë më të cenuarat, sepse kërcënohen nga rritja e nivelit të detit./DW