Presidenti i Sirisë ka deklaruar se vendi i tij “do të mbrojë stabilitetin dhe integritetin territorial” pasi rebelët thuhet se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit më të madh në vend, Aleppos.
Në komentet e tij të para publike që nga fillimi i ofensivës, Bashar al Assad tha se regjimi do të mposht “terroristët dhe mbështetësit e tyre”.
Ndër tjera, ai shtoi se Siria është në gjendje t’i mposht rebelët, pavarësisht se sa intensifikohen sulmet e tyre.
Të shtunën, mijëra kryengritës pushtuan pjesën më të madhe të Aleppos, duke kontrolluar aeroportin, përpara se të zgjeronin ofensivën e tyre në një provincë aty pranë.
Ata u përballën me pak ose aspak rezistencë nga trupat qeveritare, sipas luftëtarëve dhe aktivistëve.
Mijëra luftëtarë pushtuan gjithashtu qytete dhe fshatra në Hamën veriore, një provincë ku ata kishin prani përpara se të dëboheshin nga trupat qeveritare në vitin 2016.
Bëhet e ditur se ofensiva e shpejtë dhe e befasishme ngre pikëpyetje rreth gatishmërisë së forcave të armatosura të al-Assadit, shkruan skynews.
Kryengritësit, të udhëhequr nga grupi xhihadist salafi, Hayat Tahrir al Sham dhe duke përfshirë luftëtarët e mbështetur nga Turqia, filluan ofensivën e tyre shokuese të mërkurën.
Ata fillimisht organizuan një sulm të dyfishtë në Aleppo dhe në fshatin Idlib, duke hyrë në Aleppo dy ditë më vonë.
Deri të shtunën në mbrëmje, ata kishin pushtuar të paktën katër qytete në provincën qendrore Hama.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, të paktën 327 persona, përfshirë 44 civilë, janë vrarë që nga fillimi i operacionit të mërkurën.
Mijëra njerëz gjithashtu thuhet se janë zhvendosur pas përshkallëzimit të dhunës.
Ndryshe, kryengritësit organizuan një përpjekje për të rimarrë zonat që ata kontrollonin në Hama në vitin 2017, por dështuan.
Forcat e armatosura të Sirisë thanë në një deklaratë ato po përgatisin një kundërsulm.
Deklarata pranoi se kryengritësit hynë në pjesë të mëdha të qytetit, por tha se ata nuk kanë krijuar baza apo postblloqe.
Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj ajrore kishin kryer sulme ndaj rebelëve sirianë në mbështetje të ushtrisë së vendit.
Rusia ka qenë një aleat kyç për presidentin Assad gjatë luftës civile siriane, duke e ndihmuar atë të rimarrë kontrollin mbi vendin pas një kryengritjeje që filloi në vitin 2011.
Së fundmi, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se SHBA-ja “po e monitoron nga afër situatën”.
“Refuzimi i vazhdueshëm i regjimit të Asadit për t’u përfshirë në procesin politik të përshkruar në Rezolutën 2254 të OKB-së dhe mbështetja e tij në Rusi dhe Iran, krijoi kushtet që po shpalosen tani, duke përfshirë rënien e linjave të regjimit të Asadit në Sirinë veriperëndimore”, tha Shtëpia e Bardhë.
“Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me këtë ofensivë. Ne kërkojmë uljen e tensioneve, mbrojtjen e civilëve dhe grupeve minoritare dhe një proces politik serioz dhe të besueshëm që mund t’i jap fund kësaj lufte civile njëherë e përgjithmonë me një zgjidhje politike në përputhje me Rezolutën 2254”, shtoi ajo.
Rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u miratua njëzëri në dhjetor 2015 – duke bërë thirrje për një armëpushim dhe zgjidhje politike në Siri.
Megjithatë, nuk është bërë ndonjë përparim real për zbatimin e rezolutës.