Qindra luftëtarë nga grupet e armatosura irakiane që mbështeten nga Irani kaluan në Siri gjatë natës për të ndihmuar qeverinë në luftën kundër rebelëve që morrën në kontroll qytetin Alepo javën e kaluar, thanë disa burimet siriane dhe irakiane të hënën, ndërsa Teherani u zotua të ndihmojë qeverinë e Damaskut.
Të paktën 300 luftëtarë, kryesisht nga grupet “Badr” dhe “Nujabaa”, u futën në Siri duke shmangur kalimin zyrtar të kufirit, thanë dy burime irakiane të sigurisë.
“Këto janë përforcime të reja që po dërgohen për të ndihmuar ushtarët në vijën e frontit në veri”, tha një burim i lartë ushtarak sirian. Sipas tij luftëtarët irakianë kishin kaluar në grupe të vogla për të shmangur sulmet ajrore.
Ndihma nga grupet e luftëtarëve që Irani ka në rajon ka qenë prej kohësh një faktor suksesi për forcat pro-qeveritare në Siri në nënshtrimin e rebelëve, që u ngritën kundër presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011.
Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araqchi tha të hënën se ushtria e Sirisë ishte e aftë të përballej me rebelët, por, sipas tij “luftëtarët nga milicitë irakiane të mbështetura nga Irani po shkojnë për të ndihmuar dhe se Irani do të sigurojë çdo mbështetje të nevojshme”.
Qeveria siriane e ndihmuar nga avionët luftarakë rusë intensifikoi sulmet të hënën në zonat e mbajtura nga rebelët në veriperëndim, thanë banorët dhe punonjësit e shpëtimit, duke përfshirë një sulm në një kamp të zhvendosurish që shkaktoi 7 viktima.
Sulmi i befasishëm i rebelëve javën e kaluar e kapi rajonin të papërgatitur, ndërsa ishte një goditje e madhe për presidentin e Sirisë, Bashar al Assad duke rindezur një konflikt që ishte “ngrirë për vite”, që në vitin 2020.
Edhe pse Rusia ka qenë e fokusuar në luftën në Ukrainë që nga viti 2022, sërish ajo ruan një bazë ajrore në Sirinë veriore. Nga ana tjetër grupi Hezbollah, grupi kryesor militant i mbështetur nga Irani, që vepron në Liban, u përfshi në luftë me Izraelin, që nga fillimi i konfliktit të Gazës vitin e kaluar.
Konflikti në Siri shpërtheu pas një rebelimi kundër sundimit të Asadit në vitin 2011 dhe rebelët mbajtën pjesën më të madhe të Alepos nga viti 2012 deri në 2016, kur forcat qeveritare e rimorën atë me ndihmën e Rusisë dhe milicisë së mbështetur nga Irani.
Çdo përshkallëzim i luftës në Siri rrezikon të destabilizojë më tej një rajon tashmë të tronditur nga konfliktet në Gazë dhe Liban, me miliona sirianë të zhvendosur tashmë.
Rebelët ndahen në disa grupe kryesore, disa të mbështetura nga Turqia, grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham, i cili ishte i lidhur me al-Kaedën. Turqia gjithashtu ka një prani ushtarake në një brez të territorit sirian përgjatë kufirit të saj.
Forcat e udhëhequra nga kurdët, që Ankaraja i quan terroristë, por që luftuan militantët e Shtetit Islamik me ndihmën e SHBA-së, mbajnë territor në verilindje.
Sulmet ajrore
Rusia, përfshirja e së cilës në konflikt në vitin 2015 ktheu ekuilibrin ushtarak në mënyrë vendimtare në favor të Asadit, vazhdon të mbështesë presidentin sirian dhe po analizon situatën në terren, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Të dielën Moska shkarkoi gjeneralin përgjegjës për forcat e saj në Siri, raportuan blogerët rusë të luftës. Qeveria siriane tha se forcat ajrore siriane dhe ruse po sulmonin pozicionet e mbajtura nga rebelët në lindje të qytetit të Aleppos.
Organizata “Helmetat e Bardha” dhe banorët e zonave të kontrolluara nga rebelët në veri thanë se avionët luftarakë kishin goditur zonat e banuara të qytetit Alepo dhe një kamp të njerëzve të zhvendosur në provincën Idlib ku u vranë shtatë persona, përfshirë pesë fëmijë.
Në Turqi, udhëheqësi i opozitës siriane Hadi al-Bahra tha se rebelët duan që qeveria siriane të pranonte një tranzicion politik. “Ne jemi gati të fillojmë negociatat nesër,” tha Bahra në një konferencë për shtyp.
Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu tha se Ushtria Kombëtare Siriane e mbështetur nga Turqia kishte marrë qytetin Tel Rifaat nga milicia kurde YPG dhe po vazhdonte të përparonte.
Burime rebele dhe një banor i Aleppos thanë se grupi kurd YPG po tërhiqej nga rajoni Sheikh Maqsoud sipas një marrëveshjeje me forcat rebele. YPG e kishte mbajtur për një kohë të gjatë këtë rajon./VOA