Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se NATO-ja duhet të marrë të gjitha masat që të jetë e përgatitur për vitin e ardhshëm mes agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimeve të tjera.
Zoti Blinken foli së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës, që pritet të jetë i fundit ku ai merr pjesë si shef i diplomacisë amerikane, përpara se administrata e Presidentit Joe Biden të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.
"Është një moment jetik, mendoj, që aleanca të sigurohet që të jemi të përgatitur për vitin në vijim," u tha zoti Blinken gazetarëve, duke shtuar se ai ndante shqetësimet e zotit Rutte për gjendjen në Ukrainë, si dhe sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës strategjike të Ukrainës.
Në krye të axhendës së takimit është konsolidimi i mbështetjes së aleatëve për Ukrainën, përpara kthimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, sipas Departamentit të Shtetit.
Presidenti Joe Biden ka shtuar dërgimin e armëve dhe materialeve të tjera në Ukrainë gjatë muajve të fundit dhe ka lehtësuar kufizimet se si mund t'i përdorë Kievi ato para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.
Synimi i tij është që ta vendosë Ukrainën në pozicionin më të favorshëm të mundshëm për të negociuar një zgjidhje. Takimi i NATO-s vjen në kushtet kur Moska ka bërë përparime të ndjeshme në konflikt dhe trupat e Koresë së Veriut janë angazhuar për të ndihmuar forcat ruse.
Zoti Trump ka qenë skeptik për ndihmën e SHBA-së për Kievin dhe ka sugjeruar se administrata e tij do ta ulë ndjeshëm ose do t’i japë fund asaj.
Nga Brukseli, zoti Blinken do të shkojë në Maltë, ku do të marrë pjesë të enjten në një takim të ministrave të jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila po përballet me zhvillimet e fundit në Ukrainë, Gjeorgji dhe gjetkë./VOA