Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump pas kthimit nga Parisi ka dhënë një intervistë për New York Post, duke u ndalur në takimin që ai pati me kryeministren e Italisë, Georgia Meloni.
“Ne folëm për një kohë të gjatë, është një burim i vërtetë energjie, ju siguroj, është fantastike”, tha Trump.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, Giorgia Meloni pati mundësinë të fliste me Donald Trump tre herë: e para ishte në një diskutim të shkurtër së bashku me presidentin francez dhe presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zourabivili.

E dyta, pak më vonë, së bashku me Elon Musk dhe e treta, në fund të darkës zyrtare në Elysee, “me gota gjysmë plot verë të kuqe”, siç shkruan La Repubblica.
Kryeministrja italiane, me postimin e saj në internet, nënvizoi nga ana e saj se “ishte një mundësi e këndshme për dialog”.