Rusia ndjek situatën në Siri, nënvizon nevojën për mbrojtjen e bazave të saj ushtarake

Bota

Rusia ndjek situatën në Siri, nënvizon nevojën për mbrojtjen e bazave të saj ushtarake

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 21:30
Ilustrim

Rusia njoftoi të mërkurën se po e ndjek me kujdes zhvillimet në Siri dhe se është në kontakt me “ata që po kontrollojnë aktualisht situatën”, siç u shpreh.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nënvizoi nevojën e Rusisë për të garantuar sigurinë e mjediseve diplomatike dhe bazave të saj ushtarake në Siri, ku ishin dislokuar prej vitesh trupat ruse, në mbështetje të ushtrisë së Sirisë, në luftën civile.

Deklaratat e zëdhënësit Peskov u bënë disa ditë pasi rebelët sirianë hynë në Damask dhe çuan në rrëzimin nga pushteti të Presidentit Bashar -al Assad. Assadi u largua në Rusi, ku sipas autoriteteve atje, iu dha azil. Rënia e Asadit i dha gjithashtu një goditje interesave të Iranit në rajon, duke mbyllur një territor ku mund të vepronin milicitë iraniane si dhe ndërprerë një rrugë tokësore për dërgimin e armëve drejt grupit militant Hezbollah në Liban, që mbështetet prej Teheranit.

Të mërkurën, udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei hodhi poshtë idenë e dobësimit të rrjetit iranian në rajon, i cili përfshin mbështetjen për militantët e Hamasit në Rripin e Gazës, milicitë në Irak dhe militantët Houthi në Jemen.

Po ashtu, ai tha se ajo që ndodhi në Siri ishte rezultat i një plani mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe se gjithashtu një "shtet fqinj" i Sirisë kishte luajtur rol në rrëzimin e Assadit. Ai nuk e përmendi emrin e vendit fqinj, por Turqia, vend kufitar me Sirinë, ka qenë mbështetëse kryesore e grupeve që kundërshtonin Assadin.

Ndërsa sirianët po punojnë për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre, Papa Françesku tha të mërkurën se shpresonte për një zgjidhje politike që nxit "qëndrueshmërinë dhe bashkimin vendit".

"Lutem që populli sirian të jetojë në paqe dhe siguri në tokën e tij të dashur dhe që fetë e ndryshme të ecin së bashku në miqësi dhe me respekt të ndërsjellë, për të mirën e atij kombi të goditur nga kaq shumë vite lufte", u shpreh Papa Françesku.

Një ditë pasi njoftoi se ishte zgjedhur për të drejtuar një qeveri të përkohshme, Mohammed al-Bashir u bëri thirrje sirianëve që janë larguar nga vendi, që të kthehen në atdhe.

Gjatë një interviste me gazetën italiane ‘Corriere della Sera’ kryeministri i përkohshëm tha se kthimi në atdhe i miliona refugjatëve siriane ishte një përparësi kryesore dhe se talenti dhe përvoja e tyre do të “bëjë të mundur lulëzimin e vendit”, siç u shpreh al-Bashir.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 5 milionë refugjatë sirianë jetojnë në vendet fqinje.

Një ditë më parë, i dërguari i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë Geir Pederson tha se nuk duhet nxituar për të riatdhesuar refugjatët sirianë pas rënies së qeverisë së Bashar al-Assadit. Ai e cilësoi gjendjen humanitare në Siri, si “katastrofike” ndërsa ekonominë e vendit “në kolaps”.

*Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë The Associated Press, Agencie France-Presse dhe Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat