Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se aleanca nuk është e gatshme për kërcënimet me të cilat do të përballet nga Rusia në vitet e ardhshme dhe se është koha për t’iu kthyer një mendësie të kohës së luftës.
Ai u ka thënë anëtarëve të NATO-s se duhet të marrin në konsideratë shpenzime më të larta për mbrojtjen, që do të duhet të ishin më tepër se 2% e GDP-së.
Rutte po ashtu ka thënë se NATO duhet të jetë syhapur për ambiciet e Kinës.
“Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë, me Ukrainën dhe me ne,” tha Rutte gjatë një fjalimi në Bruksel.
“Ne nuk jemi gati për atë që do të na vijë pas katër deri në pesë vjet.”
Ai shtoi: “Është koha për të kaluar në një mentalitet të kohës së luftës”, ndërsa shtoi se situata aktuale e sigurisë ishte “më e keqja në jetën e tij”.