​Presidenti argjentinas me nënshtetësi italiane, zemërohen disa politikanë

Bota

​Presidenti argjentinas me nënshtetësi italiane, zemërohen disa politikanë

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 21:45
Javier Milei, Giorgia Meloni

Presidenti i Argjentinës Javier Milei ka marrë nënshtetësinë e Italisë bazuar në rrënjët e tij familjare italiane, tha një burim, duke konfirmuar raportet e mëparshme të mediave.

Milei ndodhet në Romë për të takuar kryeministren Giorgia Meloni dhe për të marrë pjesë në festën e Krishtlindjes së Vëllezërve të Italisë të shtunën.

Burimi i njohur mirë me situatën, tha se qeveria italiane i kishte dhënë nënshtetësinë liderit argjentinas, pa dhënë detaje tjera.

Lajmi shkaktoi reagime të zemëruara nga disa politikanë, dhe në rrjetet sociale nga emigrantë, fëmijët e të cilëve janë lindur në Itali, por nuk mund të marrin nënshtetësinë.

Ligjet e shtetësisë italiane bazohen në lidhjet e gjakut, që do të thotë se edhe pasardhësit e largët të një shtetasi italian mund të marrin një pasaportë italiane.

Ligjet për të huajt e lindur në Itali apo ata që kanë emigruar janë shumë më të rrepta. Grupet pro emigrantëve propozuan një referendum për të lehtësuar këto ligje, por koalicioni i krahut të djathtë të Giorgia Melonit është kundër lehtësimit.

Riccardo Magi, një deputet i partisë opozitare +Europa, tha se dhënia e shtetësisë për Milei ishte një akt "diskriminimi i pa tolerueshëm ndaj kaq shumë të rinjve që do ta marrin atë pas shumë vitesh".

Gjatë një udhëtimi në Itali në shkurt, Milei tha se "ndihet 75 për qind italian", duke pasur parasysh se tre gjyshërit e tij ishin me origjinë italiane dhe se ai vetë ka "pasion për operën italiane".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat