Diplomatët e lartë ndërkombëtarë diskutojnë për situatën në Siri

Bota

Diplomatët e lartë ndërkombëtarë diskutojnë për situatën në Siri

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Diplomatët e lartë nga Shtetet e Bashkuara, Lidhja Arabe dhe Turqia po mbajnë të shtunën një takim në Jordani për të diskutuar se si të ndihmojnë Sirinë gjatë tranzicionit pas rënies së qeverisë së Bashar Assadit para një jave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të gjetur një konsensus lidhur me përparësitë që ata mendojnë se duhet të ketë udhëheqja e re e Sirisë. Në takim nuk pritej të merrte pjesë ndonjë përfaqësues sirian.

Rënia e sundimit më shumë se gjysmë shekullor të familjes Assad ka ngjallur shqetësime të reja për destabilitet të mundshëm në një rajon tashmë të tronditur nga lufta Izrael-Hamas në Gaza dhe armiqësitë midis Izraelit dhe Hezbollahut me bazë në Liban, pavarësisht një armëpushimi të brishtë.

Shtetet e Bashkuara kanë ripërtërirë përpjekjet për një armëpushim në Gazë, ku më shumë se 2 milionë palestinezë janë në një krizë të rëndë humanitare nga lufta.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka shkaktuar vdekjen e mbi 44,800 palestinezëve në Gazë, më shumë se gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 17,000 militantë. Sulmi i Hamasit të tetorit 2023 që shkaktoi luftën vrau rreth 1200 persona në Izrael, kryesisht civilë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng. Rreth 100 pengje janë ende në Gazë, të paktën një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur.

Turqia rihap ambasadën në Siri

Turqia rihapi ambasadën e saj në Siri të shtunën, duke u bërë vendi i parë që e bën një gjë të tillë që nga fundi i sundimit të Bashar Asadit fundjavën e kaluar. Kryengritësit sirianë që përmbysën Assadin morën ndihmë jetike nga Turqia. Flamuri turk u ngrit mbi kompleksin diplomatik në Damask për herë të parë që nga ndërprerja e marrëdhënieve në vitin 2012. Ambasada pezulloi operacionet 12 vjet më parë për shkak të pasigurisë gjatë luftës civile siriane. Disa vende mbajtën lidhje diplomatike me qeverinë e Asadit gjatë konfliktit 13-vjeçar, ndërsa të tjera rihapën misionet e tyre diplomatike vitet e fundit teksa përpiqeshin të normalizonin marrëdhëniet.

Blinken përfundon në Jordani turneun rajonal

Zoti Blinken thotë se ekziston konsensus i gjerë midis partnerëve rajonalë se qeveria e re e Sirisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të respektojë të drejtat e grave dhe të pakicave, të refuzojë terrorizmin dhe të marra masa sigurije dhe shkatërrojë rezervat e dyshuara të armëve kimike të epokës së Assadit.

Zoti Blinken po përfundon një turne rajonal në Lindjen e Mesme. Më herët të shtunën, në një takim me të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Sirinë, Geir Pederson, Sekretari amerikan i Shtetit Blinken tha se do të bisedonin për sfidat me të cilat përballet Siria dhe "vendosmërinë tonë për të punuar së bashku për të mbështetur një tranzicion të udhëhequr nga Siria, ku Kombet e Bashkuara të luajnë një rol kritik, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhënien e ndihmës, për mbrojtjen e pakicave”.

Zoti Pederson ra dakord duke thënë: “Është kritike që të shohim në Siri një proces politik të besueshëm dhe gjithëpërfshirës që bashkon të gjitha komunitetet në Siri. Dhe pika e dytë është që të sigurohemi që institucionet shtetërore të mos dështojnë, si edhe të kemi ndihmë humanitare sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe nëse mund ta arrijmë këtë, ndoshta ka një mundësi të re për popullin sirian.”

Në njoftimin për takimet e së shtunës, Ministria e Jashtme jordaneze tha se ministrat do të "diskutonin mënyrat për të mbështetur një proces politik gjithëpërfshirës të udhëhequr nga sirianët për të arritur një proces kalimtar", i cili "siguron rindërtimin e institucioneve shtetërore siriane dhe ruan unitetin, integritetin territorial të Sirisë si edhe sovranitetin, sigurinë, stabilitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat