Personeli ushtarak rus që ndodhet ende në Siri po përballet me mungesë të ushqimit dhe ujit të pijshëm, përderisa atje po vazhdon evakuimi i trupave dhe pajisjeve, sipas Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (GUR).
Personeli rus po përballet me këto probleme në bazat ushtarake në Tartus dhe Hmeimim dhe në anijet e ankoruara në det pranë bregdetit të Mesdheut, tha shërbimi për shtyp i GUR-it në një deklaratë në Telegram më 15 dhjetor.
GUR-i gjithashtu tha se pjesëtarët e mbetur të shërbimit rus po prisnin avionë transporti ushtarak, të cilët supozohej të sillnin ushqime.
Në atë deklaratë thuhej tutje se Rusia po vazhdon të tërheqë kontingjentin e saj nga zonat e largëta të Sirisë.
“Njëkohësisht, në disa rrugë, rusët shoqërohen nga grupe të armatosura që kundërshtojnë regjimin e Assad-it”, tha GUR-i.
Deklarata shtoi se ka zëra që qarkullojnë mes ushtarëve rusë se Moska ka rënë dakord të mbajë praninë e saj në dy bazat, ku numri i personelit ushtarak arrin deri në 3.000.
Radio Evropa e Lirë nuk nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione, të cilat nuk janë komentuar nga autoritetet ruse.
Ministria e Jashtme ruse tha në Telegram se kishte evakuuar një pjesë të personelit të saj diplomatik nga Siria më 15 dhjetor. Ajo tha se tërheqja u krye me një fluturim të posaçëm të Forcave Ajrore Ruse nga baza ajrore Hmeimim.
Avionët transportues rusë janë larguar nga baza ajrore Hmeimim në ditët e fundit si pjesë e evakuimit pas rrëzimit të liderit sirian, Bashar al-Assad.
Assad u rrëzua javën e kaluar pas një ofensivë të udhëhequr nga grupi islamik, Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Assad u largua drejt Rusisë, që ishte mbështetësja kryesore e regjimit të tij.
Pamje satelitore të marra më 13 dhjetor nga kompania e teknologjisë hapësinore Maxar duket se tregonin që Rusia po përgatitej për tërheqjen e pajisjeve ushtarake nga baza ajrore Hmeimim. Pamjet tregonin të paktën dy avionë ngarkese Antonov An-124 në pistë.
Rusia gjithashtu ka dërguar disa anije në Siri, sipas informacioneve të siguruara.
Në Damask, HTS-ja ka emëruar një qeveri të përkohshme, dhe lideri i saj, Riad al-Asaad, i tha AFP-së më 15 dhjetor se është i bindur se fraksionet që ndihmuan në rrëzimin e Assadit do të bashkohen si një forcë e vetme. HTS-ja dhe qeveria kalimtare kanë insistuar se të drejtat e të gjithë sirianëve do të mbrohen.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, për situatën në Siri, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, më 15 dhjetor.
Blinken dhe Lammy diskutuan situatën “dhe parimet e miratuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e rajonit që duhet të zbatohen gjatë procesit të tranzicionit dhe formimit të një qeverie të re”, tha Miller në një deklaratë.
Më 14 dhjetor, Blinken mori pjesë në një takim urgjent në Jordani të ministrave të Jashtëm nga Liga Arabe, Turqia dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Ai tha më pas se Shtetet e Bashkuara kishin bërë “kontakte të drejtpërdrejta” me HTS-në dhe palët e tjera. Ai refuzoi të diskutojë detajet e këtyre kontakteve, por tha se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të përcillnin mesazhe për grupin mbi sjelljen e tij dhe mënyrën se si synon të qeverisë gjatë periudhës së tranzicionit.
Blinken tha se një deklaratë e përbashkët ishte rënë dakord në takimin në Jordani që përcakton parimet që vendet e tjera duan të shohin në tranzicionin politik të Sirisë, duke përfshirë gjithëpërfshirjen dhe respektimin e minoriteteve dhe grave, si dhe sigurimin që grupet terroriste të mos marrin kontrollin në vend..REL