Trupat e Koresë së Veriut luftojnë me rusët kundër Ukrainës

Bota

Trupat e Koresë së Veriut luftojnë me rusët kundër Ukrainës

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 06:13
Foto ilustrim

Sipas një vlerësimi të fundit të Pentagonit, trupat e Koresë së Veriut po luftojnë dhe po vdesin përkrah forcave ruse si pjesë e luftës së Moskës kundër Ukrainës.

"Ushtarët e Koresë së Veriut janë angazhuar në luftime në Kursk, së bashku me forcat ruse", u tha të hënën gazetarëve, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder. “Ne kemi të dhëna se ndër radhët e tyre ka patur të vrarë dhe të plagosur”, tha zëdhënësi Ryder, duke shtuar se pjesëmarrja e trupave koreano-veriore në luftë tani për tani është “e kufizuar në Kursk”, një rajon në Rusi. Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi viktimat ndër radhët e trupave të Koresë së Veriut.

Zëri i Amerikës kontaktoi ambasadën Ruse në Uashington, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk i ishte përgjigjur një kërkese për koment. Një zëdhënës i Kremlinit ia përcolli pyetjet në lidhje me vlerësimin e Pentagonit, ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila gjithashtu nuk ka bërë ende një deklaratë.

Zyrtarët amerikanë të ushtrisë dhe të zbulimit kanë thënë më parë se Pheniani ka dërguar rreth 12,000 ushtarë në Rusi për t'u stërvitur me forcat ruse në pritje për t’iu bashkuar luftës së Moskës kundër Ukrainës. Por Shtetet e Bashkuara thanë se vetëm javën e shkuar, trupat koreano-veriore u bënë jenë pjesë e operacioneve ruse të luftimit.

Konfirmimi amerikan se trupat e Koresë së Veriut po luftojnë krah atyre të Rusisë kundër Ukrainës erdhi disa orë pasi agjencia e spiunazhit të Ukrainës tha se të paktën 30 ushtarë koreano-veriorë ishin vrarë ose plagosur në luftimet në disa fshatra në rajonin e Kurskut.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi të shtunën Rusinë se po përdorte "një numër të konsiderueshëm ushtarësh koreano-veriorë në sulmet e saj", duke i cilësuar humbjet e Koresë së Veriut si "të dukshme".

Të hënën, ai pretendoi se Moska është përpjekur të fshehë humbjet ndër radhët e trupave Koresë së Veriut.

“Të dhënat paraprake sugjerojnë se rusët po përpiqen të fshehin humbjet e koreano-veriorëve”, tha zoti Zelenskyy, duke shtuar, “nuk ka asnjë arsye të vetme që koreano-veriorët të vdesin në këtë luftë”.

Pentagoni tha të hënën se Ukraina gëzon mbështetjen e tij të plotë në shënjestrimin e trupave të Koresë së Veriut.

"Siç kemi thënë gjatë gjithë kohës, forcat [e Koresë së Veriut] janë objektiva ushtarake legjitime për ukrainasit, duke pasur parasysh se janë të përfshirë në operacione luftarake aktive", tha zëdhënësi Ryder.

Më herët të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë lëshuan një deklaratë përmes së cilës dënonin përfshirjen në rritje të Phenianit në luftë, si një "zgjerim të rrezikshëm" të konfliktit.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, gjithashtu, paralajmëruan Moskën dhe Phenianin për dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë.

“Nëse ata do të kalonin kufirin dhe do të hynin në Ukrainë, ky do të ishte një tjetër përshkallëzim”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.

Ndërkohë, Norvegjia njoftoi të hënën një ndihmë të re ushtarake në vlerën prej 242 milionë dollarësh për Ukrainën.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat