Anija e sanksionuar ruse fundoset në Detin Mesdhe

Bota

Anija e sanksionuar ruse fundoset në Detin Mesdhe

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 13:16
Anija tansportuese ruse Ursa Major, korrik 2022.

Një anije ruse ngarkesash e quajtur Ursa Major u mbyt në Detin Mesdhe, pasi një shpërthim përfshiu dhomën e motorit, dhe dy anëtarë të ekuipazhit janë ende të zhdukur, njoftoi të martën Ministria e Jashtme e Rusisë.

Anija, e ndërtuar në vitin 2009, ishte nën kontrollin e Oboronlogistika, një kompani pjesë e operacioneve të ndërtimit ushtarak të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, e cila kishte njoftuar më parë se anija ishte në rrugë për në portin e Vladivostokut në Lindjen e Largët Ruse.

Qendra e krizave e Ministrisë së Jashtme deklaroi se 14 nga 16 anëtarët e ekuipazhit ishin shpëtuar dhe dërguar në Spanjë, por dy ishin ende të zhdukur. Nuk u dha asnjë informacion mbi shkakun e shpërthimit në dhomën e motorit.

Ambasada e Rusisë në Spanjë, e cituar nga agjencia shtetërore ruse RIA, tha se po hetonte rrethanat e mbytjes dhe ishte në kontakt me autoritetet spanjolle.

Kompania që operonte anijen nuk ka pranuar të komentojë rastin, raporton Reuters.

Anija Ursa Major, u vunë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 për lidhjet e tyre me ushtrinë ruse.

Disa pamje të paverifikuara që dyshohet të jenë të momentit të fundosjes së anijes qarkulluan në rrjete sociale.

Shërbimi Spanjoll i Shpëtimit Detar tha se kishte marrë një sinjal emergjence nga Ursa Major të hënën, kur ajo ndodhej rreth 57 milje larg bregut të Almerias.

Dy anije dhe një helikopter u dërguan në vendngjarje dhe 14 anëtarët e mbijetuar të ekuipazhit u dërguan në portin spanjoll të Kartagjenës.

Shërbimi citoi ekuipazhin të thoshte se anija kishte transportuar kontejnerë bosh, si dhe dy vinça portualë në kuvertë.

Më vonë, një anije luftarake ruse kishte mbërritur në vendngjarje dhe kishte marrë përgjegjësinë për operacionet e shpëtimit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat