Rusia dëmton objektet energjetike të Ukrainës në sulmet me raketa që Zelensky i quajti "çnjerëzore"

Bota

Rusia dëmton objektet energjetike të Ukrainës në sulmet me raketa që Zelensky i quajti "çnjerëzore"

Më: 25 dhjetor 2024 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se forcat ruse sulmuan vendin e tij me më shumë se 70 raketa dhe se objektivat përfshinin infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Presidenti Zelensky tha se mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 50 prej raketave, por se "ka pasur goditje" dhe ndërprerje të energjisë në disa rajone të vendit.

“Sot, Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të jetë më çnjerëzore?” tha Presidenti Zelensky.

Në Ukrainën verilindore, kryebashkiaku i Kharkivit, Igor Terekhov tha se qyteti u gjet nën një "sulm masiv me raketa" dhe më vonë u godit me një dron rus.

Oleh Syniehubov, guvernatori rajonal, tha se sulmet dëmtuan infrastrukturën civile dhe plagosën të paktën gjashtë persona.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë DTEK tha se raketat ruse shkaktuan "dëmtime serioze" dhe ndërprerje të detyruara të energjisë në Dnipropetrovsk, Odesa dhe Kiev.

“Në një sulm që synonte miliona ukrainas që thjesht donin të festonin ditën e shenjtë, Rusia shkaktoi dëme serioze në objektet e prodhimit termik DTEK”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja ajrore e saj shkatërroi 58 dronë ukrainas, një numër më i lartë se zakonisht në shkëmbimin ditor të sulmeve me dronë midis palëve.

Ministria tha se 26 nga rrëzimet ndodhën mbi rajonin Belgorod dhe 23 mbi Voronezh, me dronë të tjerë që u rrëzuan mbi Kursk, Bryansk, Tambov dhe Detin Azov.

Guvernatori i Voronezhit Aleksandr Gusev tha në rrejtin Telegram se sulmet e Ukrainës dëmtuan disa shtëpi dhe një linjë elektrike.

*Disa informacione për këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve France-Presse dhe Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat