Një trazirë në burg në kryeqytetin Maputo të Mozambikut la 33 të vdekur dhe 15 të plagosur, tha të mërkurën komandanti i përgjithshëm i policisë së vendit, Bernardino Rafael.
Rreth 1,534 njerëz u arratisën nga burgu, por 150 prej tyre tani janë rikapur, ka thënë ai, shkruajnë mediat e huaja.
Arratisja nga burgu vjen një ditë pasi të paktën 21 persona u vranë në trazirat që shpërthyen kur gjykata e lartë e Mozambikut konfirmoi të hënën fitoren e kandidatit presidencial të partisë në pushtet Frelimo, Daniel Chapo, në zgjedhjet e diskutueshme të tetorit.
Vendimi i Këshillit Kushtetues të Mozambikut shkaktoi protesta të reja mbarëkombëtare nga grupet e opozitës dhe mbështetësit e tyre, të cilët thonë se votimi ishte i manipuluar.
Të paktën 78 persona janë arrestuar deri më tani dhe masat e sigurisë janë forcuar në të gjithë vendin, tha ministri i Brendshëm Pascoal Ronda për transmetuesin publik TVM të martën.
Frelimo është akuzuar vazhdimisht nga kundërshtarët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve për manipulim të votave.
Ronda tha se trazirat u drejtuan nga mbështetës kryesisht të rinj të kandidatit humbës Venancio Mondlane, i cili mori 24% të votave, pas kandidatit të partisë Frelimo Chapo me 65%.