Një turist ka vdekur dhe një tjetër mori lëndime si pasojë e sulmit të një peshkaqeni në vendpushimin Marsa Alam, njoftoi Ministria e Mjedisit e Egjiptit, pa specifikuar kombësinë e turistëve.
Ministria e Jashtme italiane njoftoi se bëhet fjalë për shtetasit italianë - Gianluca Di Gioia (48) dhe Peppino Fappani (69). Ky i fundit mori lëndime pasi hyri në det për të shpëtuar Di Gioia nga sulmi vdekjeprurës i peshkaqenit, raporton ANSA.
Ministrja e Mjedisit e Egjiptit Yasmine Fouad, tha se sulmi ndodhi në thellësi të detit jashtë zonës së notit duke shtuar se kjo zonë do të mbyllet nga e hëna.
Pas sulmit, trupi i Gianluca Di Gioia u dërgua në spitalin Port Ghalib së bashku me Fappani.
Ambasada italiane në Kajro ka bërë të ditur se po ofron ndihmë konsullore për familjen e 48-vjeçarit të ndjerë ashtu edhe për bashkatdhetarin e plagosur.
Di Gioia ishte përfshirë qe nga 2012 në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm – EEAS - shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian. Ndërsa, Fappani, kishte kohë që ishte mik i Di Gioia.
Sulmet e peshkaqenëve janë mjaft të rralla përgjatë brigjeve të Detit të Kuq të Egjiptit - ndër episodet e fundit, vdekja në Hurghada e një ruse në qershor të vitit të kaluar dhe dy turisteve femra në 2022, një austriake dhe një britanike.
Gjithashtu në Detin e Kuq, një i ri ukrainas kishte humbur një krah në vitin 2020 dhe i njëjti fat kishte pasur një grua egjiptiane në shtator të vitit të kaluar në Dahab, në bregdetin e Sinait.
Raste të izoluara që nuk e kanë ngadalësuar fluksin e udhëtarëve drejt këtyre brigjeve, ndër destinacionet më të njohura për turizmin e Vitit të Ri falë shkëmbinjve koralë.
Ditët e fundit, sipas mediave egjiptiane, aeroportet e Hurghada dhe Marsa Alam kanë regjistruar ardhjen e rreth 150 mijë turistëve, prej tyre më së shumti nga Gjermania dhe Rusia.