James Appathurai, një diplomat kanadez që shërben si zyrtar i NATO-s i ngarkuar për luftën hibride dhe kibernetike, deklaroi se ekziston një probabilitet i lartë i një sulmi jo konvencional nga Rusia ndaj vendeve të Aleancës Veri-Atlantike.
Në një intervistë për Sky News të dielën, Appathurai tha se 32 vendet anëtare tashmë janë "thellë në ujë" me ato që ata dyshojnë se janë sulme hibride ruse në të gjithë Evropën, SHBA dhe Kanada.
Ai gjatë intervistës foli mbi aktivitete të tilla si prerja e kabllove të nëndetëseve, sabotimi i ndërtesave dhe vendosja e pajisjeve ndezëse brenda avionëve qëkur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt 2022.
“Patjetër që mund të rendisim dhjetëra. Ndoshta deri në 100. Por ka edhe sulme të penguara”, tha Appathurai.
Apathurai, i cili po punon në strategjinë e NATO-s për të luftuar luftën hibride, tha se ekzistonte një "mundësi reale" e një sulmi jo konvencional rus që mund të shkaktonte viktima "të rëndësishme".
Shkalla e sulmeve është afër një niveli që do të kishte qenë "krejtësisht i papranueshëm" pesë vjet më parë, shtoi ai.
Muajt e fundit, ka pasur një sërë incidentesh në Detin Baltik, duke përfshirë dëmtimin e kabllove të komunikimit dhe elektrike. Zyrtarët finlandezë po hetojnë aktualisht një incident dhe kanë sekuestruar gjithashtu një cisternë që transportonte naftë ruse.
NATO ka njoftuar se do të forcojë praninë e saj në rajonin e ndjeshëm ku Rusia ndan një vijë bregdetare me vendet e Aleancës Veri-Atlantike: Finlanda, Suedia, Danimarka, Gjermania, Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia.