Rusia godet me raketa dhe dronë Kievin dhe rajone të tjera të Ukrainës

Bota

Rusia godet me raketa dhe dronë Kievin dhe rajone të tjera të Ukrainës

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 15:37
Foto nga vendi i ngjarjes

Rusia nisi një sulm ajror në Ukrainë të martën, duke goditur kryeqytetin e saj dhe rajone të tjera me raketa dhe dronë.

Forcat ajrore të Ukrainës raportuan një kërcënim për sulm me raketa balistike në orën tre të mëngjesit, me të paktën dy shpërthime të dëgjuara në Kiev disa minuta më vonë. Një tjetër alarm për sulm me raketa u lëshua në orën 8:00 të mëngjesit, që u pasua me të paktën një shpërthim në qytet. Copërat e raketave ranë në lagjen Darnytskyi të kryeqytetit pa raportime për viktima apo dëme, tha administrata lokale.

Autoritetet në rajonin verilindor të Sumit raportuan sulme pranë qytetit Shostka, ku kryetari i bashkisë, Mykola Noha, tha se 12 ndërtesa banimi ishin dëmtuar si dhe dy objekte arsimore. Ai tha se disa “objekte të infrastrukturës sociale” u shkatërruan, por nuk dha hollësi të tjera.

Forcat ajrore raportuan për sulme të tjera me raketa dhe dronë që kishin në shënjestër disa rajone të tjera të Ukrainës.

Në Moskë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj goditën me sukses një bazë ajrore ukrainase dhe një fabrikë baruti.

Rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar gjatë luftës dhe ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike janë të zakonshme dhe të përhapura.

Aleatët perëndimorë të Kievit kanë ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë infrastrukturën kritike, por Rusia po përpiqet ta mbingarkojë atë me sulme të kombinuara, që përfshijnë një numër të madh raketash dhe dronësh.

Sulmet ruse ndodhin në një kohë pasigurie mbi rrjedhën e konfliktit gati tre-vjeçar. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, është zotuar se do t'i japë fund luftës dhe ka vënë në dyshim vazhdimin e mbështetjes jetike ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin.

Të hënën, Presidenti Joe Biden njoftoi një ndihmë të re ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën me vlerë 2.5 miliardë dollarësh. Administrata e tij po punon me shpejtësi për të shpenzuar të gjitha paratë që ka në dispozicion për të ndihmuar Kievin në luftën kundër agresionit rus përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën.

Ukraina i është kundërpërgjigjur Rusisë me një breshëri të vazhdueshme sulmesh me raketa dhe dronë gjatë gjithë vitit.

Të martën herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 68 dronë ukrainas mbi disa rajone herët të martën dhe fundosi tetë anije pa ekuipazh në Detin e Zi.

Udhëheqësi i rajonit të Smolenskut në Rusinë perëndimore, Vasily Anokhin, tha se fragmentet e dronëve ranë në një depo nafte, duke shkaktuar një zjarr.

Në Krimenë e pushtuar nga Rusia, kreu i qytetit të Sevastopolit, i emëruar nga Moska, Mikhail Razvozhayev, tha se mbrojtja ruse rrëzoi katër dronë që po sulmonin qytetin dhe fundosi dy varka pa ekuipazh në bregdet.

Ndërkohë, Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës pretendoi se një nga dronët e saj detarë të martën rrëzoi një helikopter rus me një raketë, duke shënuar herën e parë që një objektiv ajror shkatërrohet nga një anije pa ekuipazh.

Ai tha se droni detar “MaguraV5” rrëzoi një helikopter rus Mi-8 me një raketë R-73 pranë Kepit të Tarkhankut, pika më perëndimore e gadishullit të Krimesë. Një tjetër helikopter rus u dëmtua, por arriti të ulej në një aeroport, tha agjencia ukrainase e inteligjencës.

Rusia e ka bërë më shumë përparim këtë vit pasi ushtria e saj në Ukrainën lindore me një numër ofensivash të ngadalta por të qëndrueshme.

Megjithatë, në gusht, Ukraina nisi një ofensivë në rajonin rus të Kurskut, që e kapi Moskën në befasi, duke i dhënë një goditje të fortë prestigjit të Kremlinit. Ushtria ruse ka arritur të rimarrë disa territore të pushtuara nga forcat ukrainase, por nuk ka arritur t'i heqë plotësisht ato nga rajoni i Kurskut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat