Një gjykatë ushtarake në Kongo ka dënuar me vdekje 13 ushtarë me akuza që përfshijnë vrasje e grabitje, në atë që zyrtarët ushtarakë e përshkruajnë si një përpjekje për të përmirësuar disiplinën ushtarake pas humbjeve territoriale të shkaktuara nga dezertimi.
Ushtarët u dënuan dje në qytetin Lubero, në provincën lindore Kivu, ku forcat kongoleze kanë luftuar për tri vjet kundër rebelëve, të mbështetur nga Ruanda, dhe kundër grupe të tjera paraushtarake.
Luftimet janë intensifikuar në zonën Lubero dhe rastet e ushtarëve që braktisin pozicionet e tyre e kanë ndihmuar armikun të përparojë, tha zëdhënësi i ushtrisë lokale Mak Hazukay.
"Disa nga ushtarët që supozohet se do të luftojnë armikun në vijën e frontit kanë treguar një lloj mos disipline," tha ai.
Gjithsej 24 ushtarë morën pjesë në gjyq. Përveç 13 ushtarëve që u dënuan me vdekje, katër u dënuan me burgim nga 2-10 vjet, gjashtë ushtarë u shpallën të pafajshëm dhe një çështje u shty për hetime të mëtejshme. Të dënuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë të drejtë apeli brenda pesë ditëve.