Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të nisë atë që pritet të jetë udhëtimi i tij i fundit jashtë shtetit në detyrë këtë fundjavë, duke udhëtuar në Korenë e Jugut, Japoni dhe Francë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se Blinken do të vizitojë Seulin, Tokion dhe Parisin duke filluar nga e diela.
Në Korenë e Jugut, e cila është në mes të trazirave politike pas shkarkimit të presidentit Yoon Suk Yeol, dhe Japonisë, Blinken synon të nxjerrë në pah bashkëpunimin e SHBA-së me të dy vendet si pjesë e strategjisë së Indo-Paqësorit të administratës Biden.
Bëhet e ditur se kjo strategji synon kryesisht të zbehë ambiciet kineze në rajon, por edhe të pengojë kërcënimin bërthamor nga Koreja e Veriut, shkruan euronews.
Zhvillimet politike në Korenë e Jugut pasi Yoon shpalli shkurtimisht ligjin ushtarak dhe më vonë u fajësua, kanë ngritur pikëpyetje për stabilitetin e marrëdhënieve Uashington-Seul.
Por, SHBA ka marrë një qasje të kujdesshme ndaj pasigurisë, duke këmbëngulur që aleanca të mbetet e paprekur.
Raportohet se në Tokio, Blinken do të “rishikojë përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë aleanca SHBA-Japoni gjatë viteve të fundit”.
Kjo përfshin një miratim të madh të shitjeve të armëve të shpallur të premten, sipas të cilit SHBA do të dorëzojë rreth 3.64 miliardë dollarë (3.53 miliardë euro) raketa me rreze të mesme veprimi, pajisje përkatëse dhe trajnime në Japoni.
Ndërsa udhëtimin do ta përfundojë në Paris në takime me zyrtarë francezë për të diskutuar zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë evropiane, veçanërisht në Ukrainë.