Trumpi e Putini dhe iluzioni i paqes së shpejtë

Bota

Trumpi e Putini dhe iluzioni i paqes së shpejtë

Nga: Sh. Ramabaja Më: 4 janar 2025 Në ora: 17:40
Trump dhe Putin

Armëpushimi nuk do të thotë paqe. Evropa nuk duhet të përgjumet nga premtimet e rreme kur është në pyetje siguria. Megjithatë, debati është gjithashtu një mundësi për Ukrainën, thotë autori Michael Roth, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme.

Me fitoren zgjedhore të Donald Trump, negociatat e hershme për një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë, janë bërë fokusi i debatit. Në Gjermani po diskutohet intensivisht edhe për planin e përfaqësuesit të ardhshëm special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg . Kjo parashikon ngrirjen e vijës së frontit, ku Ukraina do të duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, për një periudhë të pacaktuar kohore, ndërsa Perëndimi mund të akomodojë Rusinë me lehtësimin e sanksioneve.

Por diskutimit i mungon një pjesë e mirë e realizmit. Edhe nëse Perëndimi dhe Ukraina janë të lodhur nga lufta, një armëpushim me Rusinë aktualisht është shumë larg. Presidenti rus Vladimir Putin, as nuk po tregon ndonjë gatishmëri serioze për të negociuar dhe as nuk janë sqaruar pyetjet kryesore, se si një armëpushim i tillë mund të sigurohet dhe të mbahet i qëndrueshëm në terma afatgjatë.

Le të mos tallemi: vetëm për shkak se armët ndoshta do të heshtin, nuk do të thotë se do të kemi paqe në Evropën Lindore. Pa garanci të besueshme sigurie, Ukraina kërcënohet, sepse Rusia thjesht do të përdorë një armëpushim për të ripozicionuar veten ushtarakisht, për të goditur sërish në rastin tjetër. Sundimi rus i terrorit, do të konsolidohej në territoret e pushtuara dhe çrrënjosja e identitetit ukrainas do të intensifikohej.

Disa kanë kritikuar muajt e fundit se ne në Gjermani flasim vetëm se si, të udhëhiqet lufta. Por kushdo që dëshiron të flasë më shumë për paqen duhet të jetë gjithashtu i përgatitur të flasë se si mund të sigurohet një paqe e brishtë. Herët a vonë do të duhet ta kemi këtë debat.

Një armëpushim nuk do të ishte – siç disa përpiqen të na bëjnë të besojmë – fillimi i tërheqjes nga mbështetja gjermane për Ukrainën. Përkundrazi, do të ishte fillimi i një faze të re, në të cilën Gjermania dhe Evropa do të sfidoheshin edhe më intensivisht dhe drejtpërdrejt se më parë - financiarisht dhe ushtarakisht.

Nënshtrimi i Ukrainës

Supozimi qendror i planit të armëpushimit është se, heqja dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të kënaqte Putinin. Por Putini kurrë nuk ishte i shqetësuar kryesisht për NATO-n. Sidomos pasi as presidenti i SHBA Joe Biden dhe as kancelari gjerman Olaf Scholz, nuk e kanë menduar ndonjëherë seriozisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në të ardhmen e afërt.

Nuk ishte as taktikisht dhe as strategjikisht e mençur, për të hequr këtë ide negociues nga tavolina. Qëllimi i Putinit është nënshtrimi i Ukrainës dhe shkatërrimi i kombit ukrainas – qoftë nëpërmjet pushtimit ushtarak, apo një regjimi miqësor ndaj Rusisë në Kiev.

Putin gjithashtu dëshiron të shkatërrojë rendin evropian të sigurisë, në mënyrë që të rivendosë sferën e ndikimit të Rusisë mbi Evropën Qendrore dhe Lindore. Ukraina dhe shtetet e tjera post-sovjetike, luajnë një rol kyç në këtë. Putin e sheh rënien e Bashkimit Sovjetik, si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të.

Në vend që të tregojë gatishmëri për të negociuar, Moska vazhdon të përshkallëzohet, për shembull, duke vendosur trupa të Koresë së Veriut dhe raketa të reja me rreze të mesme veprimi me aftësi bërthamore si " Oreshnik ". Rusia e ka kthyer ekonominë e saj në prodhim lufte dhe merr furnizime me armë nga Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe mallra me përdorim të dyfishtë nga Kina.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, Rusia ndoshta mund ta mbajë luftën në intensitetin e saj aktual më shumë se Ukraina. Për sa kohë që Putin beson se mund t'i arrijë qëllimet e tij në fushën e betejës, nuk mund të pritet që ai të pajtohet me një armëpushim.

Nëse administrata Trump megjithatë arrin të ndërmjetësojë një armëpushim të fortë, do të mbetet për t'u sqaruar, se si mund të sigurohet kjo. Rusia do të përgatitej për një inkursion të ri që nga dita e parë, ndërsa përpiqej të destabilizonte Ukrainën përmes mjeteve hibride .

Pas një armëpushimi, zgjidhja më e mirë afatgjatë do të ishte vendosja e zonave të lira të Ukrainës, nën ombrellën mbrojtëse të NATO-s dhe përpjekjet për anëtarësim të shpejtë në BE. Megjithatë, kjo bie ndesh me planin Kellogg dhe gjithashtu me qëllimin e Trumpit, për të marrë më pak përgjegjësi për sigurinë e Evropës në të ardhmen.

Çfarë e pret Evropën?

Në rast të një armëpushimi, Evropa do të ketë jo më pak, por më shumë përgjegjësi për sigurinë e Evropës dhe Ukrainës. Sipas raportimeve, Trump ka sugjeruar trupat tokësore evropiane, për të siguruar një armëpushim. Megjithatë, ka dyshime të mëdha nëse ne evropianët mund të zhvendosim mijëra ushtarë dhe pajisje në Ukrainë brenda pak muajsh, përveç rritjes së angazhimeve të NATO-s. Mbetet gjithashtu e diskutueshme, pse Putini duhet të pranojë vendosjen e trupave perëndimore në vijën e armëpushimit.

Në rast të një armëpushimi, Evropës do t'i duhet gjithashtu të bëjë përpjekje të konsiderueshme financiare. Ukraina duhet të jetë në gjendje të zmbrapsë një tjetër sulm rus, ndërsa në të njëjtën kohë vendi duhet të rindërtohet.

Ndihma amerikane do të përfundojë në pranverën e 2025. Mbetet e paqartë se deri në çfarë mase administrata Trumpit, do të miratojë ndihmën e mëtejshme. 50 miliardë euro të kredisë së G7-ës, nuk do të ishin aspak të mjaftueshme.

Asetet e ngrira ruse në BE, të vlerësuara në 240 miliardë euro, do të duhet të përdoren, si pagesa të parakohshme të dëmshpërblimeve. Por as për këtë nuk ka konsensus në BE. Pra, nga cilat buxhete kombëtare, duhet të paguhet aftësia mbrojtëse dhe rindërtimi i Ukrainës? Ukraina nuk mund të shpëtohet me shërbimin abstrakt të buzëve nga Brukseli, Parisi, Madridi dhe Berlini.

Prandaj, një armëpushim mbetet i pamundur. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatitemi për të paktën dy skenarë të tjerë. Nga njëra anë, se Putini refuzon negociatat ose ato do të dështojnë. Kellogg ka njoftuar, një rritje masive të ndihmës ushtarake amerikane në këtë rast.

Një mundësi për Ukrainën

Por është e diskutueshme nëse Trump dhe republikanët e fokusuar në Kinë, do të ishin të gatshëm të gërmojnë edhe më thellë në arsenalet amerikane, të cilat tashmë po arrijnë kufijtë e tyre. Një skenar tjetër është se Putini i zvarrit negociatat, duke krijuar njëkohësisht fakte ushtarake. Se sa kohë mund të mbajë Ukraina frontin pa ndihmën e mëtejshme të SHBA-së është e pasigurt. Në të dyja rastet, Gjermania dhe Evropa do të duhet të rrisin ndjeshëm përpjekjet e tyre, për të parandaluar humbjen e Ukrainës.

Megjithatë, debati aktual nuk është i kotë: vitet e fundit nuk kemi arritur të zhvillojmë një strategji pan-evropiane për të siguruar paqen në Ukrainë. Refuzimi i çdo sugjerimi paraprakisht dhe shpjegimi pse kjo apo ajo nuk funksionon, nuk është një strategji. Rizgjedhja e Trump kthen gjithçka përmbys – por ofron gjithashtu një mundësi për Ukrainën. Tani më shumë se kurrë, Evropa ka rëndësi: vetëm me ndihmën tonë Ukraina do të mbijetojë, si një shtet i lirë dhe demokratik. Vetëm ne do të jemi në gjendje të ndalojmë dhe të frenojmë imperializmin rus. /Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja - Michael Roth (SPD) ishte anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 1998 dhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme që nga viti 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat