SEUL – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken theksoi të hënën shqetësimet mbi thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Veriut, duke e quajtur bashkëpunimin e tyre “të ndërsjellë”.
Sekretari Blinken tha se Koreja e Veriut “tashmë po merr pajisje ushtarake dhe stërvitje nga Rusia”.
“Kemi arsye për të besuar se Moska ka për qëllim të ndajë teknologji të avancuar hapësinore dhe satelitore me Phenianin dhe se (Presidenti rus) Putin është pranë vendimit që do t’i jepte fund politikës shumë dekadëshe të Rusisë dhe të pranojë programin e armëve bërthamore” të Koresë së Veriut, deklaroi ai gjatë konferencës për shtyp, në vizitën e tij të fundit ndërkombëtare si sekretar shteti.
Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Koresë së Jugut, Koreja e Veriut ka dërguar mbi 10 mijë trupa dhe sisteme konvencionale armatimi në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë. Ekzistojnë shqetësime që Rusia mund t’i japë Koresë së Veriut teknologji të avancuar armatimi në këmbim.
Në prag të vizitës së Sekretarit Blinken në Korenë Jugore, Koreja e Veriut hodhi një raketë balistike, e cila përshkoi një trajektore prej 1,100 kilometrash para se të binte në detin ndërmjet Gadishullit korean dhe Japonisë, sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut, të cilët thanë se Koreja e Veriut po zgjeron testimin e armëve të saj vetëm disa javë para se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ta fillojë zyrtarisht mandatin.
Sekretari Blinken e dënoi veprimin e Koresë së Veriut dhe tha se ai “përbën edhe një shkelje të rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Vizita e tij vjen po ashtu në një periudhë të trazirave politike në Korenë e Jugut pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti Yoon Suk Yeol dhe shkarkimit të tij nga parlamenti në muajin dhjetor. Sipas ekspertëve, kjo situatë e ka vënë Korenë e Jugut në një pozitë të pafavorshme në prag të kthimit të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tyre, trazirat politike ekspozuan brishtësinë e sistemit demokratik të Koresë së Jugut në një shoqëri të përçarë.
“Ne kishim shqetësime serioze për disa nga veprimet që ndërmori Presidenti Yoon dhe këto ia kemi bërë të ditura qeverisë”, deklaroi Sekretari Blinken. “Njëkohësisht, ne kemi besim të madh në qëndrueshmërinë e demokracisë së Koresë së Jugut, në fuqinë e institucioneve të saj dhe në përpjekjet që po i bën për zgjidhur në mënyrë paqësore për dallimet përmes atyre institucioneve, në përputhje me kushtetutën dhe sundimin e ligjit”.
Paralajmërimi i Koresë së Veriut para kthimit të Trumpit
Në konferencën e fundvitit, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua të zbatojë politikën “më të rreptë” anti-amerikane dhe kritikoi përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë me Seulin dhe Tokion, të cilën ai e përshkroi si “blloku ushtarak bërthamor i agresionit”.
Mediat koreano-veriore nuk kanë dhënë hollësi mbi planet e zotit Kim dhe nuk bënë ndonjë koment specifik për zotin Trump. Gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump e takoi zotin Kim tre herë për bisedime rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Por një rikthim i shpejt i diplomacisë me Korenë e Veriut ka pak gjasa që të ndodhë me kthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Pozita e forcuar e zotit Kim – për shkak të arsenalit të zgjeruar bërthamor, thellimit të aleancës me Rusinë dhe zbehjes së zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara – paraqesin sfida të reja në zgjidhjen e ngërçit bërthamor, sipas ekspertëve.
Mbetet e paqartë nëse zoti Trump do të jetë i angazhuar si Presidenti Biden për të forcuar aleancat e Shteteve të Bashkuara në Azi.
Gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump është ankuar rreth kostos së mbajtjes së 28,000 trupave amerikane në Korenë e Jugut për të zmbrapsur kërcënimet e Koresë së Veriut dhe vazhdimisht ka kërkuar që Koreja e Jugut të rrisë kontributet në fushën e mbrojtjes. Në Seul ka shqetësime se qasja e zotit Trump “Amerika e para” mund të dëmtojë interesat e Koresë së Jugut në tregti përmes rritjes së tarifave dhe masave të tjera./VOA