Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të dielën se vetëm Uashingtoni mund t’i ofrojë Kievit garanci sigurie, e të ndalë agresionin rus. Ai tha se shpresonte të takohej me Presidentin e zgjedhur Donald Trump së shpejti, pasi ai të merrte zyrtarisht detyrën, më 20 janar.
Në një intervistë që u publikua të dielën, dhënë për podkastin e ekspertit të shkencave kompjuterike, amerikanin Lex Fridman, zoti Zelenskiy tha se ukrainasit kishin besim se zoti Trump do ta detyronte Moskën t'i jepte fund luftës.
Ai tha gjithashtu se Rusia do t’i përshkallëzonte tensionet në Evropë nëse Uashingtoni do të merrte ndonjë vendim për t’u larguar nga NATO.
Për udhëheqësin ukrainas, Shtëpia e Bardhë nën zotit Trump, do të luante një rol jetik në ofrimin e garancive të sigurisë.
Zoti Zelenskiy tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte i interesuar për negociata serioze dhe se ai duhej të detyrohej t’i jepte fund luftës e të binte dakord për një paqe të qëndrueshme.
Intervista u publikua të dielën në mbrëmje ndërsa trupat ukrainase nisën një sulm të ri në rajonin Kursk të Rusisë, një zhvillim që pason ofensivën e papritur të Kievit në muajin gusht të vitit të kaluar po në këtë rajon.
Ukraina ka thënë prej muajsh se Rusia ka dislokuar me mijëra trupa të Koresë së Veriut në Kursk, në ndihmë të trupave të saj.
Deri tani sipas zotit Zelenskiy janë vrarë apo plagosur 3,800 trupa të Koresë së Veriut, por ai tha se Pheniani kishte kapacitet për të dërguar me mijëra trupa të tjerë./VOA