Grenlanda e ka bërë të qartë se nuk është në shitje, tha të martën kryeministrja daneze Mette Frederiksen, në përgjigje të fiksimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për blerjen e ishullit masiv të Arktikut.
Frederiksen tha se kryeministri i Grenlandës, Mute Egede “ka qenë shumë, shumë i qartë … se ka shumë mbështetje në mesin e popullit të Grenlandës që Grenlanda nuk është në shitje dhe nuk do të jetë as në të ardhmen”.
Reagimet e lideres daneze vijnë pasi Trumpi lëshoi idenë e blerjes së Grenlandës nga Danimarka muajin e kaluar, duke e quajtur blerjen amerikane të territorit të Arktikut një “domosdoshmëri absolute”. Propozimin e njëjtë, Trumpi e bëri edhe në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë, raporton “Politico”.
Djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., zbarkoi në Grenlandë të martën në atë që ai e quajti një vizitë private. Por shoqëruesi i tij përfshinte aktivistin konservator Charlie Kirk dhe drejtorin e personelit të Trumpit, Sergio Gor. Trumpi Senior i cilësoi ata si përfaqësues të tij.
“Nga njëra anë, unë jam vërtet e lumtur për rritjen e interesit amerikan në Grenlandë”, tha Frederiksen në një intervistë të martën me transmetuesin danez TV 2. “Por sigurisht që është e rëndësishme që ajo të ndodhë me vendim të grenlandezëve”.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë me një popullsi prej rreth 60,000 banorësh, ishte një koloni daneze derisa u bë vetëqeverisëse me parlamentin e saj në vitin 1979. Mbetet një territor i Danimarkës, me Kopenhagën që ushtron kontroll mbi politikën e saj të jashtme dhe të mbrojtjes.
Ndërsa fuqitë globale kërkojnë të zgjerojnë shtrirjen e tyre në Arktik, Grenlanda e pasur me minerale – ku gjendet një bazë ushtarake amerikane — është e lakmuar për vlerën e saj strategjike në siguri dhe tregti.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2009 me Danimarkën, Grenlanda mund të shpallë pavarësinë vetëm pas një referendumi të suksesshëm – për të cilin udhëheqësi i saj Egede duket se la të kuptohej, gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri, se mund të mbahej së bashku me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ishullit në prill.