Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion

Bota

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion

Më: 7 janar 2025 Në ora: 18:40
Rogán Antal

Uashingtoni ka vendosur të vendosë zyrtarin e qeverisë hungareze Antal Rogán në listën e sanksioneve për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në korrupsion, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Shtetit.

Rogán, një ekonomist dhe ish-kryetar bashkie i Belváros-Lipótváros, është një nga figurat e larta më me ndikim në qeverinë e kryeministrit Viktor Orbán.

Portofoli i tij si ministër përgjegjës i zyrës së kabinetit të Orban mbulon një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë komunikimet zyrtare dhe joformale të qeverisë, si dhe inteligjencën civile.

Para kësaj, Rogán ishte kreu i grupit parlamentar të partisë së Orbanit, Fidesz.

“Gjatë mandatit të tij si zyrtar qeveritar, duke përfshirë edhe si ministër përgjegjës për zyrën e kabinetit të Orbanit, Rogán thuhet se ka orkestruar skema të dizajnuara për të kontrolluar sektorët strategjikë të ekonomisë hungareze”, u tha nga  Departamenti i Shtetit të SHBA në një deklaratë të martën.

“Ministri Rogán ka luajtur një rol qendror në mundësimin e një sistemi në Hungari që ka përfituar vet dhe partia e tij në kurriz të popullit hungarez”, u tha ndër tjera nga DASH.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje liderëve të Hungarisë që të trajtojnë korrupsionin në mënyrë proaktive, pa mëdyshje dhe me vendosmëri. Një Hungari më transparente do të kontribuojë në një aleancë më të fortë transatlantike dhe një Evropë më të begatë”, thuhet në përfundimin e deklaratës.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó kritikoi vendimin e Uashingtonit, duke thënë se ishte një akt hakmarrjeje i organizuar nga ambasadori i SHBA në Hungari, David Pressman.

“Kjo është hakmarrja personale ndaj Rogán Antal e ambasadorit të dërguar nga administrata e dështuar amerikane në Hungari, i cili largohet pa sukses dhe me turp”, tha Szijjártó në një postim në Facebook.

“Sa mirë që në pak ditë Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqen nga njerëz që e shohin vendin tonë si mik dhe jo armik”, shtoi ai.

Rogan u vendos në listën e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja sipas Aktit Global Magnitsky, i cili synon abuzuesit e të drejtave të njeriut dhe aktorët globalë të korrupsionit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat