Anijet e NATO-s do të fillojnë të patrullojnë në disa pika kritike në Detin Baltik

Bota

Anijet e NATO-s do të fillojnë të patrullojnë në disa pika kritike në Detin Baltik

Më: 9 janar 2025 Në ora: 07:19
Foto ilustrim

Anijet e NATO-s do të fillojnë të patrullojnë dhe të mbrojnë lokacionet kritike në Detin Baltik këtë javë.

Siç njoftoi transmetuesi publik finlandez YLE, rreth 10 anije, të cilat do të përfshijnë disa anije nga Flota Baltike e NATO-s në detyrë dhe disa që do të dërgohen nga disa vende të NATO-s, do të kryejnë misione patrullimi dhe mbrojtjeje në Detin Baltik deri në prill.

Duke vënë në dukje se anijet do të vendosen pranë kabllove të energjisë dhe kabllove të të dhënave, transmetuesi tha: “Ato pritet të krijojnë një efekt parandalues dhe të rrisin rrezikun për ata që mund të sabotojnë kabllot”.

– Incidentet në Detin Baltik

Në Detin Baltik kanë ndodhur disa incidente infrastrukturore të profilit të lartë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, gjë që rriti tensionet në rajon.

Së fundmi, Finlanda raportoi se cisterna Eagle S ishte ndaluar në lidhje me incidentin e dëmtimit të kabllove nënujore që ndodhi në ditën e Krishtlindjes.

Nëntorin e kaluar, dy kabllo telekomunikacioni që lidhnin Suedinë dhe Danimarkën u ndërprenë. Autoritetet dyshojnë për anijen kineze Yi Peng 3, e cila lundroi mbi kabllot, ndërsa Kina mohoi kërkesën e Suedisë për të hetuar anijen.

Kablloja nënujore Arelion, që lidh ishullin suedez Gotland me Lituaninë, dhe kablloja nënujore e komunikimit C-Lion 1 që lidh kryeqytetin e Finlandës, Helsinkin dhe qytetin e Gjermanisë, Rostock, u dëmtuan gjithashtu në mes të nëntorit pranë ujërave territoriale të Suedisë.

Zyrtarët evropianë kanë sugjeruar se ndërprerjet e fundit mund të jenë akt sabotimi, i cili mund të lidhet me luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës. Por Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i quajtur ato “absurde”.

Ndërkohë, mbeten të pazgjidhura shpërthimet që ndodhën në shtator 2022, kur u shpërthyen tubacionet Nord Stream që transportonin gazin rus në Evropë, duke nënvizuar cenueshmërinë e rajonit ndaj sulmeve nënujore në infrastrukturën kyçe.

Autoritetet në të gjithë rajonin e Balltikut vazhdojnë të hetojnë këto incidente mes vigjilencës së shtuar pasi tensionet gjeopolitike nuk tregojnë asnjë shenjë zbutjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat