NIS-i në listën e sanksioneve të SHBA-së, Vuçiq thotë se kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia

Bota

NIS-i në listën e sanksioneve të SHBA-së, Vuçiq thotë se kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia

Më: 10 janar 2025 Në ora: 17:22
Rafineria e naftës së NIS-it në Serbi.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, sanksione që kanë shënjestruar edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS.

Këtyre sanksioneve u është bashkuar edhe Britania.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Ministria e Financave e SHBA-së, se bëhet fjalë për "sanksione të rënda dhe serioze" dhe se kërkohet "largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it".

"Plani për transformimin e pronësisë duhet të miratohet nga OFAC-i, brenda Ministrisë së Financave të SHBA-së", tha Vuçiq.

Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit "rrezik sekondar", do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Thesari tha se ka ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë që përdoren për luftën kundër Ukrainës.

Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miqoviq, ka thënë më herët se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës, por shtoi se për të gjitha pengesat që mund të dalin, ka zgjidhje dhe se furnizimet nuk do të ndërpriten.

Unë jam i bindur se ato sanksione - çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen - nuk janë të drejtuara kundër Serbisë. Ndaj, besoj se do të gjendet një zgjidhje për të garantuar furnizim të sigurt të tregut vendas”, thotë Miqoviq për Radion Evropa e Lirë.

Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat