Bugajski: Trump nuk do ta blejë Grenlandën, Kanadasë po i bën presion

Bota

Bugajski: Trump nuk do ta blejë Grenlandën, Kanadasë po i bën presion

Më: 10 janar 2025 Në ora: 23:34
Janusz Bugajski

Politologu dhe analisti i mirënjohur, Janusz Bugajski, foli ekskluzivisht për Balkan Talks në Euronews Albania mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare.

Ai analizoi deklaratat kontraverse të presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump, për mundësinë e blerjes së Grenlandës dhe idenë e bashkimit të Kanadasë me Shtetet e Bashkuara.

Bugajski vlerësoi se këto deklarata janë të pamundura dhe shpjegoi arsyet që qëndrojnë pas tyre. Ai theksoi se Trump shpesh bën komente për të krijuar përshtypje dhe se kjo është pjesë e stilit të tij politik.

“Trump shpesh thotë gjëra për të bërë përshtypje dhe shpesh përsërit gjëra që i ka dëgjuar. Kjo është politika e tij,” tha ai.

“Ai është një figurë që mendon se mund të bëjë marrëveshje, transaksione dhe kompromise, dhe ka një mënyrë shumë të paparashikueshme për të vepruar. Po ashtu, ai ofendohet shpejt dhe e sheh politikën e jashtme si një çështje personale.”

Sa i përket Grenlandës, Bugajski vlerëson se Trump mund të ketë ndërmend ta afrojë ishullin me NATO-n për shkak të rritjes së aktivitetit të Rusisë dhe Kinës në Arktik, duke përfshirë eksplorimin e burimeve minerale dhe natyrore.

“Mendoj se Trump synon të rrisë praninë ushtarake në Grenlandë dhe ta afrojë më shumë me NATO-n. Blerja e Grenlandës është një ide ekstreme dhe nuk ka shumë mundësi që të ndodhë,” shpjegoi ai.

Në lidhje me Kanadanë, Bugajski e quajti të pamundur bashkimin e këtij shteti me SHBA-në.

“Nuk ka mundësi që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve, sepse kjo do të çonte në një mazhorancë të demokratëve në Kongres, një gjë që as republikanët nuk e duan,” shtoi ai.

Më tej, Bugajski shpjegoi se Trump mund të jetë duke i bërë presion Kanadasë në disa fusha, si tregtia dhe shpenzimet për mbrojtjen.

“Trump po i ushtron presion Kanadasë, veçanërisht përsa i përket shpenzimeve të saj për ushtrinë, pasi Kanadaja investon vetëm 2% të buxhetit të saj për NATO-n,” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat