Çmimet e naftës shënojnë rënie

Bota

Çmimet e naftës shënojnë rënie

Më: 16 janar 2025 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie pas njoftimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, si dhe pas një raporti që tregon prodhim më të lartë të naftës së papërpunuar nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).

Mëngjesin e sotëm, standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent ra me 0,4 për qind, duke u tregtuar me 81,30 dollarë për fuçi, respektivisht nga 81,61 dollarë në mbylljen e seancës së djeshme, përcjell AA, transmeton KosovaPress.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ra me 0,3 për qind, duke u tregtuar në 78,90 dollarë për fuçi, nga mbyllja e seancës së mëparshme prej 79,14 dollarësh.

Kryeministri i Katarit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, gjatë një konference për media në Doha konfirmoi marrëveshjen e armëpushimit, e cila është përcaktuar të hyjë në fuqi të dielën.

Sipas marrëveshjes, faza e parë që do të zgjasë 42 ditë, përfshin lirimin e 33 pengjeve izraelite në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë. Ky zhvillim erdhi në ditën e 467-të të operacionit ushtarak në vazhdim të Izraelit ndaj Gazës, që ka vrarë dhe plagosur të paktën 156 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Armëpushimi ka lehtësuar shqetësimet e furnizimit në Lindjen e Mesme, respektivisht në rajonin që posedon një pjesë të konsiderueshme të rezervave botërore të naftës, gjë që ka kontribuar në rënien e çmimeve të naftës.

Ndërkohë, një raport i fundit i grupit OPEC theksoi rritjen e prodhimit të naftës së papërpunuar, duke ndikuar më tej në rënien e çmimeve.

Sipas raportit mujor të grupit për tregun e naftës, e publikuar dje, prodhimi i OPEC-ut u rrit me 26 mijë fuçi në ditë ose me 0,1 për qind në dhjetor të vitit të kaluar, duke arritur në një mesatare prej 26,74 milionë fuçi në ditë.

Furnizimi shtesë ka zbutur shqetësimet lidhur me shqetësimet e ndërprerjes së tregut, duke çuar në çmime më të ulëta.

Parashikimi i pandryshuar i OPEC-ut për rritjen e kërkesës globale për naftë këtë vit ka ndikuar gjithashtu në çmimet e naftës.

Vendimi i OPEC-ut për ta mbajtur të pandryshuar parashikimin e rritjes së kërkesës globale për naftë për vitin 2025 shtoi edhe më tej presionin ndaj çmimeve. Grupi shprehu pritje që kërkesa për naftë të rritet me 1,45 milion fuçi në ditë gjatë këtij viti, duke arritur në 105,2 milionë fuçi në ditë, më pak se sa ishte parashikuar dhe duke zbehur perspektivën për rritje të çmimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat