Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se prania ushtarake e Izraelit në Libanin jugor duhet të marrë fund.
“UNIFIL (Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban) është duke punuar nga afër me forcat e armatosura libaneze në jug, me qëllim të qartë që prania izraelite në jug të përfundojë”, ka thënë ai gjatë një takimi me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri.
Armëpushimi 60-ditor i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka filluar më 27 nëntor, në tentativë për të ndaluar luftën Izrael-Hezbollah që ka marrë jetën e më shumë se 4,000 njerëz dhe ka lënduar më shumë se 16,000 të tjerë në Liban.
Liderët libanezë kanë kërkuar ndihmë nga sekretari i OKB-së për kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit.
Libani ka popullsi prej rreth 6 milionë banorësh. Aty strehohen 780,000 refugjatë sirianë të regjistruar dhe qindra mijëra të tjerë të paregjistruar. Kjo e bën Libanin vendin me numrin më të madh të refugjatëve për banorë në botë.
Më 8 dhjetor, luftëtarët opozitarë sirianë kanë pushtuar kryeqytetin e Sirisë, Damaskun, duke përfunduar sundimin 54-vjeçarë të familjes Assad në Siri.
Konflikti në Siri, që ka filluar në mars të 2011-tës, ka marrë jetën e më shumë se gjysmë milioni njerëzve dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë së paraluftës prej 23 milionësh. Më shumë se 5 milionë sirianë janë zhvendosur jashtë vendit që prej fillimit të konfliktit.