Udhëheqësit botërorë urojnë Presidentin Trump

Bota

Udhëheqësit botërorë urojnë Presidentin Trump

Më: 20 janar 2025 Në ora: 23:07
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Presidenti argjentinas Javier Milei në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit amerikan Donald Trump - 20 janar 2025.

Udhëheqësit botërorë uruan të hënën Presidentin Donald Trump për inaugurimin e tij si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ishte mes atyre që uruan zotin Trump.

“Presidenti Trump është gjithmonë i vendosur dhe politika e paqes përmes forcës që ai njoftoi ofron një mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është një përparësi kryesore”, tha zoti Zelenski.

Më 22 shkurt mbushen tre vite nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

Presidenti Trump më parë ka premtuar t'i jap fund luftës Rusi-Ukrainë brenda një dite pasi të bëhej president, apo edhe para inaugurimit të tij. Kohët e fundit, këshilltarët e Trump kanë thënë se zgjidhja e këtij konflikti tani do të marrë muaj ose edhe më shumë.

Presidenti Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin.

Edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu uroi Presidentin Trump për fillimin e mandatit.

“Unë besoj se bashkëpunimi ynë do ta thellojë më tej aleancën SHBA-Izrael”, tha zoti Netanyahu.

Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të dielën, vetëm një ditë para se Presidenti Trump të fillonte mandatin.

Mezi pres të punoj me ju për të liruar pengjet e mbetura, për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për t’i dhënë fund sundimit politik të këtij grupi në Rripin e Gazës dhe për tu siguruar që Gaza të mos bëhet kurrë kërcënim për Izraelin”, shtoi zoti Netanyahu.

Presidenti Trump mori urime edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe aleatët e Shtetevet ë Bashkuara si Gjermania, Italia dhe Britania.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i ngushtë dhe qëllimi i politikës sonë është gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kryeministri britanik Keir Starmer vuri në dukje marrëdhënien e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

"Për shekuj, vendet tona kanë patur një marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneritet të qëndrueshëm", tha zoti Starmer. “Bazuar në dashurinë e gjatë dhe lidhjet historike të Presidentit Trump me Mbretërinë e Bashkuar, e di që miqësia jonë e thellë do të vazhdojë”.

Dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Uashington, tha se është "e sigurt se miqësia midis vendeve tona dhe vlerat që na bashkojnë do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara".

Presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, kritikoi një pjesë të fjalimit të Presidentit Trump, në të cilin ai përsëriti dëshirën e tij për të rikthyer kontrollin e Shteteve të Bashkuara mbi Kanalin e Panamasë.

Shtetet e Bashkuara i dhanë plotësisht kontrollin e kanalit të rëndësishëm strategjik Panamasë në vitin 1999.

“Në emër të Republikës së Panamasë dhe popullit të saj, unë duhet të shprehë kundërtshtim të plotë të pjesës së fjaimit të Presidentit Donald Trump në lidhje me Panamanë dhe kanalin e saj”, tha zoti Mulino përmes një deklarate.

Disa të dhëna në këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Reuters./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat