NJU DELHI – Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar pohoi se vendi i tij është i hapur për kthimin e shtetasve indianë që po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumente. Këto komente erdhën pas takimit që ai pati me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio në Uashington, gjatë të cilit njëra prej çështjeve që u diskutuan ishte imigrimi i jashtëligjshëm.
Duke theksuar se Nju Delhi ka kundërshtuar ashpër imigrimin e jashtëligjshëm, ai u tha gazetarëve se “gjithmonë kemi patur qëndrimin që nëse ndonjë shtetas i yni, që qëndron këtu në mënyrë joligjore, nëse jemi të bindur që bëhet fjala për një shtetas tonin, gjithmonë kemi qenë të hapur për kthimin e tyre të rregullt në Indi”. Ai tha se ky është qëndrimi që India mban me secili shtet.
Ministri Jaishankar foli gjatë një konference për shtyp në Uashington të mërkurën, një ditë pas takimit me Sekretarin Rubio.
Presidenti Donald Trump në fillim të mandatit të tij, nënshkroi urdhra ekzekutivë që synojnë të godasin imigrimin e jashtëligjshëm dhe dëbimin e atyre që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme.
Shtetasit indianë përbënin grupin e tretë më të madh të imigrantëve të pa leje në Shtetet e Bashkuara në vitin 2022, duke u radhitur menjëherë pas Meksikës dhe El Salvadorit, sipas Qendrës për Hulumtime ‘Pew’. Besohet që numri i tyre arrin shifrën prej 725,000.
Analistët e konsiderojnë qasjen pro-aktive të Indisë për të lehtësuar kthimin e imigrantëve të jashtëligjshëm indianë që gjenden në Shtetet e Bashkuara si një veprim për t’i dhënë përgjigje njërit prej shqetësimeve kryesore të administratës së Presidentit Trump, ndërkohë që Nju Delhi përgatitet për përballje me çështje shumë më të ndërlikuara, përfshirë çështjen e tregtisë dhe tarifave.
“Krahas një mori çështjesh, ku ka dallime ndërmjet Indisë dhe Shteteve të Bashkuara, kjo është një fushë ku India mund të dëshmojë në mënyrë transparente se po ndërmerr diçka, duke i krijuar vetes mundësi më të mëdha për të manovruar në fusha të tjëra”, thotë Harsh Pant, nënpresidenti i Fondacionit për Vëzhgim dhe Hulumtim në Nju Delhi. “Në fushat tjera, siç janë ekonomia dhe tregëtia, është shumë vështirë të bëhen gjërat që administrate e re e zotit Trump mund të kërkojë prej Indisë, si dhe do të duhej kohë për t’i realizuar ato”.
Ministri Jaishankar tha se Nju Delhi aktualisht po verifikon identitetin e atyre që përmbushin kushtet për dëbim dhe se numrat e saktë të imigrantëve të jashtëligjshëm nuk dihen.
Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar rreth 18,000 imigrantë indianë pa dokumente për t’i kthyer prapa dhe për të cilët India do të fillojë procesin e kthimit, sipas njoftimeve të bëra në fillim të javës nga agjencia e lajmeve Bloomberg, e cila citon burime me njohuri mbi këtë çështje.
Dëbimet e shtetasve indianë që nuk kanë dokumente përkatëse nga Shtetet e Bashkuara ishin në proces e sipër – një grup i shtetasve indianë u riatdhesuan nga Shtetet e Bashkuara në muajin tetor, për shembull.
Ministri Jaishankar gjithashtu shprehu përkrahjen për kanalet ligjore të imigrimit.
“Si qeveri, natyrisht që jemi mbështetës të mëdhenj të lëvizjes së ligjshme, ngaqë besojmë në tregun global të punës. Duam që të talentuarit nga India dhe aftësitë që ata kanë, të kenë mundësitë maksimale në nivel botëror”, deklaroi ai.
Programi i vizave H-1B, përmes të cilit punonjësit e huaj me aftësi të larta vijnë në Shtetet e Bashkuara, janë bërë temë debati në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit, me disa që kritikojnë ashpër programin se po ndikon negativisht tek punonjësit amerikanë. Përkrahësit e programit thonë se punonjësit e talentuar u sjellin përfitime kompanive dhe punëdhënësve amerikanë. Indianët, shumica e të cilëve janë profesionistë që punojnë në industrinë e teknologjisë, janë ndër përfituesit më të mëdhenj të vizave H-1B.
Analisti Pant thotë se India ka “përparësi më të madhe” kur bëhet fjalë për vizat H-1B. “Sa i përket kësaj çështjeje, India po merr përkrahje gjithashtu nga kompanitë në Shtetet e Bashkuara. Andaj politikisht, kjo është çështje më e sigurtë për Indinë, ngaqë ekziston një bazë përkrahjeje e brendshme”, tha ai.
Miliarderi Elon Musk është në mesin e atyre që kanë shprehur përkrahje të fuqishme për programin. Presidenti Trump, i cili në të kaluarën e ka kritikuar programin, muajin e kaluar u shpreh në favor të tij.