Rusia: Asgjë e re në kërcënimet e Presidentit Trump rreth luftës së Moskës në Ukrainë

Bota

Rusia: Asgjë e re në kërcënimet e Presidentit Trump rreth luftës së Moskës në Ukrainë

Më: 23 janar 2025 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Kremlini deklaroi të enjten se nuk ka parë elemente të reja të posaçme në politikën amerikane ndaj Rusisë nën Presidentin Donald Trump, i cili kërcënoi këtë javë se do të vendoste sanksione të reja më të ashpëra ndaj Rusisë nëse nuk i jepte fund “luftës absurde” në Ukrainë.

“Ai i pëlqen këto metoda, të paktën i pëlqenin gjatë mandatit të tij të parë presidencial”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov tha se Rusia mbetet e gatshme për “dialog me respekt të ndërsjellë” me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Presidenti Trump fillon mandatin katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse nuk është njoftuar për një takim të mundshëm.

Presidenti Trump i bëri thirrje Presidentit rus Vladimir Putin të mërkurën t’i japë fund luftës ndaj Ukrainës, përndryshe Shtetet e Bashkuara do të vendosnin së shpejti një “nivel të lartë” tatimesh, tarifash dhe sanksionesh ndaj eksporteve ruse në Perëndim.

Në ditën e tij të dytë si president, zoti Trump i tha zotit Putin përmes një postimi në rrjetet sociale se ai nuk “synon të lëndojë Rusinë” dhe se Shtetet e Bashkuara “kurrë nuk duhet të harrojnë” që Rusia i ndihmoi ato të fitojnë Luftën e Dytë Botërore, por se ka ardhur koha për t’i dhënë fund sulmit tre vjeçar të Moskës ndaj Ukrainës fqinje.

“Duke patur këtë parasysh,” shkroi zoti Trump në llogarinë e tij në platformën Truth Social, “do t’i bëj Rusisë, ekonomia e së cilës po dështon, si dhe Presidentit Putin, një FAVOR shumë të madh. Bëj marrëveshje tani dhe NDALE këtë luftë absurde! DO TË BËHET VETËM EDHE MË KEQ”.

“Nëse nuk bëjmë një ‘marrëveshje’ dhe e bëjmë atë së shpejti”, zoti Trump tha se “nuk do të ketë zgjidhje tjetër” veçse të vendosë tatime, tarifa dhe sanksione. Nën Presidentin Joe Biden, i cili e përfundoi mandatin të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë shpesh vendosën sanksione ndaj sektorëve jetikë të ekonomisë ruse dhe miqëve oligarkë të Putinit, që ndikuan në përkeqësimin e ekonomisë, por pa arritur ta ndalnin luftën.

Zoti Trump tha, “Ta ndalim këtë luftë, që kurrë nuk do të kishte ndodhur po të isha unë president! Mund ta bëjmë këtë në formën të lehtë, ose të vështirë – mënyra e lehtë është gjithnjë më e mirë. Është koha për “TË BËRË MARRËVESHJE”. NUK DUHEN HUMBUR MË JETË NJERËZISH!!!”

Në vijën e frontit, zyrtarët në rajonin jugore të Zaporizhias njoftuan të enjten, se një sulm me raketë balistike ruse shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e 24 të tjerëve.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov njoftoi përmes platformës Telegram se dronët rusë po ashtu shkatërruan një termocentral energjetik, duke lënë pa energji elektrike dhjetëra njerëz.

Në rajonin Mykolaiv, Guvernatori Vitaliy Kim njoftoi se sistemet mbrojtëse ajrore të Ukrainës shkatërruan nëntë drone ruse, por që pjesët e dronëve dëmtuan disa shtëpi në këtë zonë.

Ushtria ukrainase po ashtu qëlloi disa drone në rajonin e Dnipropetrovskut, sipas Guvernatorit Serhiy Lysak

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar katër drone të Ukrainës mbi rajonin e Belgorodit, që gjendet përgjatë kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat