Trump i kërkon OPEC-ut të rrisë prodhimin e naftës për t’i bërë presion Putinit

Bota

Trump i kërkon OPEC-ut të rrisë prodhimin e naftës për t’i bërë presion Putinit

Më: 23 janar 2025 Në ora: 22:52
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë adresimit virtual në Davos.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka arritur që ta bindë liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, për bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, prandaj ai po kërkon ndihmë për këtë çështje nga Arabia Saudite.

Gjatë fjalimit më 23 janar në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, Trump u bëri thirrje Arabisë Saudite dhe aleatëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, që të rrisin prodhimin e naftës, një lëvizje që do të ulte çmimet e naftës së papërpunuar, duke ngufatur burimet e të ardhurave që Moska përdor për luftën kundër Ukrainës.

“Unë po ashtu do t’iu kërkojë Arabisë Saudite dhe OPEC-ut që t’i ulin kostot e naftës. Do t’i ulim çmimet, që në fakt jam i befasuar që nuk i kanë ulur para zgjedhjeve. Isha i befasuar nga ky fakt. Nëse çmimet ulen, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të merrte fund menjëherë”, tha Trump.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump e bëri prioritet përfundimin e pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës dhe ka deklaruar se do që të takohet me presidentin Putin.

Megjithatë, Kremlini duket se po heziton që të përfshihet në bisedime, teksa analistët thonë se Putini beson se po fiton luftën dhe prandaj nuk sheh arsye që të ndalë luftimet.

Së fundi, Rusia është duke marrë territor në lindje të Ukrainës me ritmin më të shpejtë që nga nisja e luftës, teksa Ukraina po përballet me sfida të rekrutimit të ushtarëve të rinj.

Një ditë pas inaugurimit më 20 janar, Trump tha se do të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë, që ta detyrojë që të ulet në tavolinën e bisedimeve. Por, ai nuk tregoi se çfarë do të shënjestronin sanksionet e reja eventuale.

Një ditë më vonë ai përsëriti këtë paralajmërim. Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 23 janar – para se Trump të fliste në Davos – se Moska “nuk sheh asnjë element të ri” në atë që Trump ka deklaruar.

Gjatë mandatit të paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, SHBA-ja vendosi një sërë sanksionesh ndaj ekonomisë ruse, përfshirë edhe ndaj industrisë së naftës.

Ekonomia ruse varet shumë nga eksportet e naftës, që përbëjnë mbi 30 për qind të të ardhurave të buxhetit federal. Një rënie, qoftë e eksporteve të naftës ruse apo e çmimeve të naftës, do të shtrëngonte edhe më shumë ekonominë ruse, që veçse po përballet me vështirësi.

Megjithatë, sanksione të reja ndaj industrisë së naftës ruse mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës, nëse shtetet e tjera nuk rrisin prodhimin.

Arabia Saudite dhe disa nga aleatët e saj në OPEC janë të aftë të rrisin prodhimin për një periudhë të shkurtër kohore. Arabia Saudite aktualisht prodhon 3 milionë fuçi nafte në ditë, ndërkaq Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 1 milion fuçi.

Prodhimi në sasi të tilla është rezultat i marrëveshjes mes shteteve të OPEC-ut që të prodhojnë aq sa çmimet e naftës të mbesin të larta.

Rusia, anëtare e OPEC+, eksporton rreth 6.6 milionë fuçi nafte dhe produkt të naftës në ditë.

Para fjalimit virtual në Davos, Trump bisedoi me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, në bisedën e parë telefonike të realizuar me një udhëheqës të huaj, që kur mori mandatin në fillim të javës.

Të dy diskutuan për stabilitetin në Lindjen e Mesme, luftën kundër terrorizmit, rritjen e tregtisë, tha Shtëpia e Bardhë.

Chris Weafer, ekspert për industrinë e naftës dhe themelues i firmës këshilluese, Macro-Advisory, tha se nuk mendon që Trumpi mund të bindë sauditët dhe anëtarët e tjerë të OPEC-ut që të rrisin prodhimin me qëllim që t’i bëhet presion Kremlinit për Ukrainën.

“Ka pak gjasa që Arabia Saudite, Emiratet apo ndonjë prodhues tjetër i OPEC-ut që të përfshihen në një lëvizje të tillë politike kundër anëtares së OPEC+, Rusisë, apo të ndërmarrin ndonjë veprim që do të bënte që ata të humbin të ardhura nga eksportet dhe t’i japin hise më të madhe në treg prodhuesve të SHBA-së”, tha Weafer për Radion Evropa e Lirë.

David Oxley, ekonomist për klimën dhe mallrat në Capital Economics, tha se përderisa Arabia Saudite është “larguar” nga SHBA-ja viteve të fundit, Trump ka lidhje të forta me udhëheqjen e vendit.

“Ka pasur shenja së fundi të ngrohjeve të raporteve dhe Trump njihet si person që ka raporte të mira me Princin e Kurorës dhe me Fondin Publik të Investimeve të Arabisë Saudite”, tha Oyley më 23 janar.

Ai shtoi se Arabia Saudite gjithashtu ka shprehur zhgënjimin me anëtarët e tjerë të OPEC-ut për prodhimin e më shumë sasie të naftës sesa kuota e tyre dhe mund të “hapë portat” për të rimarrë pjesën e tregut global.

“Kjo ftesë eksplicite nga Trumpi mund të jetë mbulesa që i duhet Arabisë për të hapur portat”, tha ai./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat