A duhet të brengoset Putini nga kërcënimet e Trumpit me sanksione të reja?

Bota

A duhet të brengoset Putini nga kërcënimet e Trumpit me sanksione të reja?

Më: 24 janar 2025 Në ora: 14:12
Vladimir Putin dhe Donald Trump

Shumë kohë para se ta merrte detyrën këtë javë dhe para zgjedhjeve të nëntorit, presidenti Donald Trump është zotuar se do ta lehtësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, megjithëse ka dhënë shumë pak hollësi se si do ta arrinte një gjë të tillë.

Më 22 janar, dy ditë pasi e nisi mandatin e dytë, Trumpi tregoi një veprim që do ta ndërmerrte për ta bërë Rusinë të ulet në tavolinën e bisedimeve, që është hap fillestar por vendimtar dhe sfidues drejt një marrëveshjeje. Ai tha se do të vendosë sanksione shtesë ndaj Moskës, nëse ajo nuk bindet.

“Nëse nuk bëjmë ‘marrëveshje’, së shpejti nuk do të kem zgjidhje tjetër përpos të vendos taksa, tarifa dhe sanksione të nivelit të lartë ndaj çdo gjëje që shitet nga Rusia në Shtetet e Bashkuara, dhe ndaj vendeve të ndryshme pjesëmarrëse”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.

Në të kaluarën, Trumpi e kishte lavdëruar Putinin, e kishte kritikuar SHBA-në për mbështetjen e Ukrainës dhe kishte ngulur këmbë për përfundimin e shpejtë të luftës, duke ngritur shqetësime në mesin e përkrahësve të Ukrainës se ai mund t’i flijojë interesat e Kievit në emër të një marrëveshjeje, e cila, në fund, do ta fuqizonte Rusinë.Por, Trumpi ka folur ashpër këtë javë. Postimi i 22 janarit ishte më i fundit në një varg komentesh, përmes së cilave ai tha se lufta po e rrënon Rusinë dhe se Putini duhet të kërkojë paqe, para se të bëhet tepër vonë. Ekonomia e Rusisë “po dështon”, shkroi presidenti amerikan.

“A e kemi armikun në prag të shtëpisë?”

Toni dhe përmbajtja e komenteve të Trumpit janë mirëpritur nga Kievi, por edhe nga Perëndimi, i cili kërkon trysni ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se deklaratat e Trumpit dërguan “sinjal të fuqishëm”.

Ndërkohë, Moska nuk humbi kohë për të për t’u përgjigjur, duke thënë se kërcënimi me sanksione të reja nuk do të kryejë punë. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha më 23 janar se Kremlini nuk sheh "asgjë veçanërisht të re këtu".

Moderatori pro-Kremlinit, Vladimir Solovyov, reagoi ngjashëm, por përdori gjuhë më të ashpër – një përpjekje e zhurmshme për t’u thënë rusëve se nuk duhet të shqetësohen."Çfarë? A është e mundur të flitet me Rusinë në atë mënyrë?", tha ai në një koment të postuar në Telegram.

"A po e humbim luftën? A na ka ardhur armiku te pragu i derës?", pyeti ai.

Këto deklarata e pasqyrojnë vetëbesimin e jashtëm të Putinit se lufta po shkon mirë për Rusinë, me gjithë humbjet e mëdha që Rusia i ka pësuar derisa është duke bërë përparime graduale në fushën e betejës, dhe se ekonomia po i përballon sfidat, pavarësisht inflacionit të lartë dhe problemeve të tjera.

Megjithatë, nën atë pamje të jashtme, mund të fshihen shqetësime në të dyja drejtimet, dhe disa ekspertë thanë se kërcënimi i ri i Trumpit për sanksione, do t’i rrisë shqetësimet e tyre.

"Mendoj se kjo me të vërtetë e ka tronditur Kremlinin", tha për Radion Evropa e Lirë, Nigel Gould-Davies, hulumtues për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.Gould-Davies tha se Trumpi “në momentin e parë të mundshëm, po tregon se e ka seriozisht këtë”, duke shtuar se Ukraina dhe mbështetësit e saj janë shqetësuar se “mënyra kryesore e tij për t’i dhënë fund luftës do të ishte trysnia ndaj Ukrainës dhe kufizimi i mbështetjes”.

Të paktën në këto deklarata, sipas Gould-Davies, Trumpi “po tregon se problemi i përfundimit të luftës duhet të zgjidhet sipas kushteve që e detyrojnë Putinin të bëjë lëshime, në vend se ta detyrojnë Ukrainën...Nuk ka qenë aspak e qartë se ai do ta bënte këtë”.

Më 23 janar, agjencia e lajmeve Reuters citoi "pesë burime", të cilat thanë se Putini "po shqetësohet gjithnjë e më shumë për deformimet në ekonominë e kohës së luftës në Rusi". Po ashtu, Reuters citoi ish-zëvendëskryetarin e Bankës Qendrore të Rusisë, Oleg Vyugin, i cili tha: "Rusia, natyrisht, është e interesuar ekonomikisht për të negociuar një fund diplomatik të konfliktit".

Problemet ekonomike në rritje "kanë kontribuar në krijimin e një pikëpamjeje brenda një pjese të elitës ruse se një zgjidhje e negociuar për luftën është e dëshirueshme", citoi Reuters dy nga burimet që folën me kusht anonimiteti.

Kërcënimet e Trumpit "e vendosin Putinin në një situatë të vështirë", shkroi në platformën X, ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landisbergis.

"Tani, Putini duhet të zgjedhë - ta pranojë se ai ka frikë nga sanksionet e reja sepse ekonomia e tij është në kolaps, ose të dëshmojë se ambiciet e tij imperialiste nuk do të kufizohen nga këto kërkesa", shtoi ai.

Disa analistë janë shumë më skeptikë, duke thënë se problemet ekonomike nuk do ta shtyjnë Putinin të heqë dorë nga qëllimi i nënshtrimit të Ukrainës, edhe nëse një armëpushim ose marrëveshje paqeje do të bënte që Rusia ta ketë nën kontroll jozyrtarisht afërsisht 20 për qind të territorit të Ukrainës që e ka pushtuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat