Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t’i rrumbullakojë investimet në një trilion

Bota

Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t’i rrumbullakojë investimet në një trilion

Më: 25 janar 2025 Në ora: 10:28
Foto nga takimi

Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet e ardhshme, deklaroi presidenti Donald Trump, para se të shtonte shpejt se dëshiron të shohë një shumë edhe më të madhe.

“Por do t’i kërkoj princit të kurorës, i cili është një figurë fantastike, ta rrumbullakojë shumën në rreth një trilion. Mendoj se ai do ta bëjë, sepse ne kemi qenë shumë të mirë ndaj tyre”, tha 78-vjeçari gjatë një fjalimi përmes video-lidhjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Pak pas inaugurimit të hënën, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili konsiderohet si sundimtari de facto i mbretërisë së Gjirit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se kjo ishte telefonata e parë që Trump zhvilloi me një lider të huaj gjatë mandatit të dytë presidencial.

Sekretari i sapoemëruar i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu foli me Bin Salman menjëherë pas marrjes së detyrës.

Trump u pyet ditën e parë në zyrë se cila mund të jetë destinacioni i vizitës së parë jashtë vendit. Presidenti tha se gjatë mandatit të parë, ai fillimisht udhëtoi në Arabinë Saudite, pasi ai vend atëherë kishte njoftuar investime prej 450 miliardë dollarësh.

I pyetur nëse do të shkonte përsëri aty në fillim, ai u shpreh se kjo është e mundur, nëse ata janë të gatshëm të investojnë të njëjtën shumë ose më shumë. Trump gjithashtu u tha liderëve në Davos se do të ushtrojë presion mbi Arabinë Saudite për të ulur çmimet globale të naftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat