Afër mureve të Aushvicit, ish-shtëpia e komandantit të kampit të përqendrimit, Rudolf Hoss, qëndron si një simbol i mohimit dhe bashkëpunimit. Nga dritaret e kësaj goden mund të shihet kampi i disa prej mizorive më të mëdha të Holokaustit. Ndërsa bota shënon 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, siç raporton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze po zhvillohen plane për ta shndërruar shtëpinë në një qendër kërkimore kundër urrejtjes, ekstremizmit dhe radikalizimit.
Një shtëpi e thjeshtë në dukje pranë Aushvicit, ishte shtëpia e Rudolf Hoss, komandantit të kampit dhe një nga arkitektët kryesor të Holokaustit.
Hoss jetonte me gruan dhe pesë fëmijët e tij vetëm disa metra larg mizorive të paimagjinueshme që ai urdhëronte të kryheshin.
“Ky tunel u ndërtua nga komandanti Höss pasi shtëpia iu mor një familjeje polake”, tregon Yacek Pursky, drejtor i Qendrës Kërkimore të sapokrijuar të Aushvicit për Urrejtjen, Ekstremizmin dhe Radikalizimin.
Ai thotë se Hoss ecte nëpër këtë tunel çdo ditë për të mbikqyrur vrasjet sistematike të njerëzve gjatë komandës së tij tre vjet e gjysmë të kampit. Vlerësohet se në këtë kamp u shfarosën 1.1 milionë njerëz.
Kjo shtëpi ishte e mbyllur për vizitorët për rreth 80 vjet. Ditën e parë që një grup turistësh u futën në shtëpi, ata panë oxhaqet e Aushvicit që ditë e natë dikur nxirrnin tymin nga trupat që digjeshin.
“Ata kanë kishin një jetë të mirë këtu, por si nuk i shqetësonte ndonjëhëre era?”, pyet Gil Faran, kreu i shoqatës polake të guidave turistike.
Autoritetet do ta hapin shtëpinë për vizitorët, kryesisht të mbijetuarit e Holokaustit, në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit nga Ushtria Sovjetike.
“Kjo është kaq e rëndësishme për ne, saqë duhet të jemi në gjendje t'i edukojmë fëmijët dhe nipërit tanë që ata të mos vuajnë ashtu si kemi vuajtur ne”, tregon Harry Orenstein, shoqërues turistësh.
Pas kësaj qendre të re është Mark Wallace, një ish-diplomat amerikan, themelues dhe drejtues i Projektit Kundër Ekstremizmit.
“Është shumë e rëndësishme që ne e kemi rimarrë këtë shtëpi dhe do ta hapim për të gjithë, derisa të mbijetuarit janë ende gjallë. Pra, nga ky këndvështrim, ka një masë të vogël drejtësie. Ky përvjetor ka të bëjë me viktimat dhe familjet e tyre. Dhe kjo është një pjesë e vogël e nderimit të tyre”, thotë ai.
Ajo që dikur ishte një simbol i mizorisë, plogështisë dhe mohimit, do të jetë një vend ku brezat e rinj mund të frymëzohen për të reflektuar mbi ndërtimin një të ardhmeje pa urrejtje./voa