Trump i shpall luftë tregtare vendit të parë që refuzoi urdhrat e tij

Bota

Trump i shpall luftë tregtare vendit të parë që refuzoi urdhrat e tij

Më: 27 janar 2025 Në ora: 01:39
Presidenti amerikan Donald Trump

Me kërcënime të ndërsjella për tarifa doganore, Presidenti amerikan Donald Trump (78 vjeç) ka ndezur një konflikt tregtar me Kolumbinë, pas një mosmarrëveshjeje për fluturimet e deportimit.

Arsyeja: Presidenti kolumbian Gustavo Petro (64 vjeç) refuzoi të pranonte fluturimet me emigrantë të deportuar nga SHBA drejt Kolumbisë. Të dielën në mëngjes, qeveria kolumbiane ndaloi dy avionë të mëdhenj ushtarakë amerikanë që transportonin emigrantë.

Brenda të njëjtës ditë, Trump i shpalli Kolumbisë – një shtet me 50 milionë banorë – luftë doganore! Në platformën e tij "Truth Social", Trump deklaroi:
“Kolumbia rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Ne nuk do ta pranojmë këtë sjellje!”

Trump u tregua i vendosur: Ai njoftoi një tarifë prej 25% mbi të gjitha importet nga Kolumbia, me paralajmërimin se javën e ardhshme ato mund të rriten në 50%.

Për më tepër, Trump kërcënoi me një ndalim të ashpër të udhëtimeve: Anëtarët e qeverisë kolumbiane, stafi i tyre dhe madje edhe familjarët nuk do të marrin më viza amerikane.
"Të gjithë qytetarët kolumbianë do t’i nënshtrohen kontrolleve më rigoroze në kufi!", paralajmëroi ai.

Presidenti kolumbian i përgjigjet Trump-it

Presidenti Petro fillimisht u tregua i gatshëm për kompromis dhe shprehu gatishmërinë për të pranuar emigrantët, por në kushte të tjera.

Propozimi i tij: Qeveria kolumbiane do të vërë në dispozicion avionin presidencial për të siguruar "kthimin dinjitoz të shtetasve kolumbianë", njoftoi zyra e Presidentit Petro.
Gjithashtu, në deklaratë thuhej se po zhvillohen bisedime aktive me administratën amerikane për të arritur marrëveshje që "garantojnë një minimum respekti dhe trajtim njerëzor gjatë procesit të deportimit".

Image
Presidenti kolumbian Gustavo Petro

Por Petro gjithashtu sfidoi Trump-in, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave doganore për mallrat amerikane.

Përmes platformës sociale X, Petro njoftoi se i ka udhëzuar Ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Luis Carlos Reyes, që të rrisë tarifat mbi importet nga SHBA me 25%.
"Bllokada juaj nuk më frikëson," shkroi Petro, duke iu drejtuar Trump-it.
"Jam i informuar që ju do të vendosni tarifa prej 50% për produktet e punës sonë njerëzore që eksportohen në Shtetet e Bashkuara. Edhe unë do të bëj të njëjtën gjë."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat