Filipinet propozojnë të heqin dorë nga një sistem amerikan raketash në këmbim të ndaljes së agresionit detar të Kinës

Bota

Filipinet propozojnë të heqin dorë nga një sistem amerikan raketash në këmbim të ndaljes së agresionit detar të Kinës

Më: 30 janar 2025 Në ora: 22:27
Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr.

MANILA – Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr. tha të enjten se vendi i tij do të heqë dorë nga sistemi amerikan i raketave nga Filipinet nëse Kina ndalon ato që ai i quajti “sjellje agresive dhe kërcënuese” në Detin e Kinës së Jugut.

Ushtria amerikane instaloi sistemin me rreze të mesme veprimi ‘Typhon’ në pjesën veriore të Filipineve në muajin prill të vitit të kaluar për të mbështetur atë që aleatët tradicionalë e përshkruan si një stërvitje për gatishmëri të përbashkët luftarake.

Kina vazhdimisht ka kërkuar nga Filipinet që të heqë dorë nga sistemi i raketave, duke thënë se po “nxiste një konfrontim gjeopolitik dhe një garë armatimi”.

I pyetur nga gazetarët rreth kritikave të Kinës ndaj sistemit, Presidenti Marcos tha se ai nuk e kupton qëndrimin kinez ngaqë Filipinet nuk komentojnë për sistemin e raketave të Kinës i cili “është mijëra herë më i fuqishëm se ky që e kemi ne”.

“Të bëjmë një marrëveshje me Kinën: Jepi fund pretendimeve ndaj territorit tonë, jepi fund keqtrajtimit të peshkatarëve tanë dhe lejoi të fitojnë bukën e tyre, jepi fund sulmeve ndaj barkave tona, jepi fund goditjeve me topa uji dhe sulmeve ndaj nesh me lazer dhe jepi fund sjelljes agresive dhe kërcënuese dhe ne do t’i kthejmë raketat tajfun”, u tha Presidenti Marcos gazetarëve gjatë vizitës në krahinën Cebu.

“T’i ndalin të gjitha veprimet që po bëjnë dhe unë do t’i kthej ato”, tha ai.

Zyrtarët kinezë nuk kanë reaguar ende ndaj deklaratave të Presidentit Marcos.

Sistemi i raketave ‘Typhon’ i ushtrisë amerikane, që përbëhet nga një raketahedhës dhe të paktën 16 raketa standarde dhe raketa për sulme tokësore ‘Tomahawk’, është ripozicionuar para dy javësh nga pjesa veriore e Filipineve në një zonë më strategjike në afërsi të kryqytetit Manila, në bashkëpunim me zyrtarët filipinezë të mbrojtjes, i tha një zyrtar i lartë agjencisë së lajmeve the Associated Press.

Zyrtari filipinas, i cili foli me kusht që të mos identifikohet për shkak se nuk ishte i autorizuar të diskutojë çështje të ndjeshme publikisht, tha se sistemi amerikan tani është më afër një zone ku rojet detare dhe marinsat e Kinës dhe të Filipineve gjithnjë e më shumë po përplasen me njëri tjetrin në Detin e Kinës së Jugut.

Raketat ‘Tomahawk’ mund të përshkojnë një distancë prej mbi 1,600 kilometra, duke e vendosur pjesë të ndryshme të territorit të Kinës brenda rrezes së tyre të veprimit. Sistemi do të mbetet në Filipine për një afat të hapur kohor, sipas këtij zyrtari.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning deklaroi javën e kaluar se Filipinet po “krijojnë tensione dhe armiqësi në rajon dhe po nxisin konfrontim gjeopolitik dhe një garë armatimi” duke lejuar vendosjen e sistemit raketor amerikan në territorin e saj.

“Ky është një veprim tejet i rrezikshëm dhe një zgjedhje jashtëzakonisht e papërgjegjshme”, deklaroi ajo.

Sekretari i Mbrojtjes i Filipineve, Gilberto Teodoro e kundërshtoi kërkesën e Kinës për kthimin e sistemit me raketa, duke e quajtur ndërhyrje në punët e brendshme të Filipineve.

Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet i kanë dënuar vazhdimisht veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës për të avancuar pretendimet e saj territoriale ndaj Detit të Kinës së Jugut, ku gjatë dy viteve të fundit janë shtuar armiqësitë, përfshirë përplasjet e vazhdueshme ndërmjet rojës detare kineze dhe filipinase si dhe anijeve të tyre.

Përveç Kinës dhe Filipineve, Vietmani, Malejzia, Brunei dhe Tajvani kanë po ashtu pretendime ndaj këtyre rrugëve të rëndërsishme detare, që janë kyçe për transportimin e mallrave, por që besohet se mbajnë edhe rezerva të mëdha karburantesh./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat