Sulme ajrore amerikane kundër Shtetit Islamik në Somali

Bota

Sulme ajrore amerikane kundër Shtetit Islamik në Somali

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 20:27
Ilustrim

Presidenti Donald Trump tha të shtunën se kishte dhënë urdhër për sulme ajrore kundër drejtuesve të lartë të Shtetit Islamik në Somali. Një nga objektivat e sulmit, tha udhëheqësi amerikanë, ishte një zyrtar i lartë që harton sulmet e organizatës terroriste si dhe drejtues të tjerë.

“Këta vrasës, të cilët i zbuluam tek fshihen nëpër shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tano”, shkroi Presidenti Trump në rrjetin ‘Truth Social’. “Sulmet i shkatërruan shpellat ku jetonin ata dhe vranë shumë nga terroristët, pa dëmtuar popullsinë civile”.

Sulmet e së shtunës kishin si objektiv malet Golis, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili shtoi se vlerësimet fillestare tregojnë për eliminimin e shumë operativëve terroristë. Ai tha se nuk pati dëmtime mes popullsisë civile.

Shefi i ri i Pentagonit tha se sulmet dëmtojnë aftësitë e organizatës së vetëquajtur Shteti Islamik “për të organizuar dhe ndërmarrë sulme terroriste” që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, partnerët e saj dhe popullsinë civile.

“Është një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë në gatishmëri për të zbuluar dhe eliminuar terroristët që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, madje edhe kur ne po zhvillojmë operacione të fuqishme për mbrojtjen kufitare dhe operacione të tjera nën udhëheqjen e Presidentit Trump”, tha ai përmes një deklarate.

Gjatë administratave të ndryshme, si demokrate ashtu edhe republikane, ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj grupeve terroriste në Somali.

Vitin e kaluar, një sulm amerikan i koordinuar me Somalinë eliminoi tre militantë të grupit Shteti Islamik, sipas ushtrisë amerikane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat