​Rubio: Zhvendosja e popullsisë së Gazës sipas planit të Trumpit do të jetë e përkohshme

Bota

​Rubio: Zhvendosja e popullsisë së Gazës sipas planit të Trumpit do të jetë e përkohshme

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 11:32
Foto ilustrim

Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, ka deklaruar se propozimi i Presidentit Donald Trump për zhvendosjen e popullsisë së Gazës do të jetë i përkohshëm.

Ky propozim vjen pas sugjerimit të Trump-it se Shtetet e Bashkuara mund të “marrin nën kontroll” Gazën dhe të zhvendosin miliona palestinezë që jetojnë atje. Ideja ka hasur kundërshtime nga Kombet e Bashkuara, grupet e të drejtave të njeriut dhe liderët arabë, shkruan BBC.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sqaroi komentet e presidentit, duke theksuar se SHBA nuk po planifikon të vendosë “trupa në terren” në këtë rajon.

Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, shprehu mbështetje për këtë ide, duke deklaruar se populli i Gazës “duhet të lejohen të gëzojnë lirinë e daljes dhe emigrimit”. Megjithatë, ai nuk dha detaje të qarta mbi mënyrën e zbatimit të këtij plani.

Gjatë një vizite në Guatemala, Rubio mbrojti propozimin, duke e quajtur atë një “lëvizje bujare” që tregon “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të marrë përgjegjësinë për rindërtimin e zonës”. Ai shpjegoi se plani do të lejonte popullin e Gazës të largoheshin përkohësisht, ndërsa rrënojat pastroheshin dhe zhvillohej rindërtimi.

Leavitt përsëriti të mërkurën se presidenti është i përkushtuar për të rindërtuar Gazën dhe për të zhvendosur përkohësisht banorët e saj gjatë procesit. Megjithatë, Trump deklaroi të martën se zhvendosja do të ishte e përhershme.

Në lidhje me vendosjen e trupave në Gaza, Leavitt tha se nuk ka asnjë angazhim, por nuk e përjashtoi mundësinë e përfshirjes ushtarake të SHBA-së.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, gjithashtu e lavdëroi propozimin e Trump, duke shtuar se banorët e Gazës “do të lejohen të shijojnë lirinë e daljes dhe emigrimit” përmes tokës, detit dhe ajërit.

Ai tha se vende si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, kritikë të luftës, “janë të detyruara ligjërisht t'i lejojnë çdo banori të Gazës të hyjë në territorin e tyre”.

Ministri i Jashtëm i Spanjës e ka refuzuar kategorikisht këtë propozim, duke shtuar valën e kundërshtimeve ndërkombëtare ndaj planit të debatueshëm të Trump-it.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat