I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainë dhe Rusi, Keith Kellogg, ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në Konferencën për Siguri në Munih javën e ardhshme, por i hodhi poshtë raportimet se ai do ta shpalosë propozimin e Shtëpisë së Bardhë për paqe gjatë asaj konference.
Kellogg tha se mezi pres të flasë në konferencën vjetore të sigurisë dhe të diskutojë për “qëllimin e Trumpit për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme dhe të kushtueshme në Ukrainë”. Ai shkroi në X se planifikon të takohet me “aleatët e Amerikës të cilët janë të gatshëm të punojnë me ne”.
Që kur Kellogg njoftoi se do të flasë në këtë konferencë, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt, ka pasur spekulime se ai do të zbulojë planin e Trumpit për përfundimin e luftës.
Agjencia e lajmeve, Bloomberg, më 5 shkurt citoi burime të paidentifikuara që thanë se Kellogg do të paraqesë planin gjatë konferencës.
Por, Kellogg i hodhi poshtë këto raportimeve në një intervistë për Newsmx, duke thënë “jo, nuk do ta bëjmë”.
"Personi që do të shpalosë planin e paqes është presidenti i Shteteve të Bashkuara, jo Keith Kellogg. Kjo [shpalosja e planit të paqes] nuk do të ndodhë fare javën e ardhshme", tha ai.
Më 6 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është i sigurt që ende nuk ka plan zyrtar nga SHBA-ja, duke sugjeruar se çdo plan formal duhet të koordinohet me Kievin.
"Ndoshta po gaboj... por jam i sigurt që ajo që është publikuar në disa media... nuk është plani zyrtar i presidentit Trump, sepse jam i sigurt që ekipet tona do të punojnë së bashku", tha Zelensky. "Nuk mund të ketë plan të veçantë nga dikush tjetër, madje as nga Shtetet e Bashkuara".
Zelensky shtoi se edhe para inaugurimit të Trumpit më 20 janar, "ne patëm mundësinë të dëgjonim njëri-tjetrin, të flisnim për vizionet [e paqes] dhe për çështje që janë prioritet, si dhe për gjëra për të cilat populli ukrainas nuk mund të bëjë lëshime. Pra, ai e di pozicionin tonë".
Zelensky shprehu besimin se Trump mund ta detyrojë Putinin t’i japë fund luftës, e cila ka vazhduar për gati tre vjet që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.
"Putini ka frikë të flasë me mua për përfundimin e luftës. Nuk e di pse. Ai është i rritur, por ka frikë të mbetet vetëm me mua. Nuk e di. Por, sidoqoftë, mendoj se Trump do të jetë në gjendje ta detyrojë atë ta përfundojë luftën", theksoi Zelensky.
Kellog tha javën e kaluar se Trumpi kishte një strategji “solide” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda muajsh. Këto deklarata u bënë teksa bisedimet dhe negociatat në prapaskenë po zhvillohen për të gjetur një rrugë për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës që ka nisur pothuajse tre vjet më parë.
Ai dhe zyrtarë të tjerë kanë lënë të kuptohet se plani ka të bëjë me atë që aleatët e Trumpit e quajnë “paqe përmes forcës”. Plani përfshin ngrirjen potenciale të konfliktit dhe lënien e territoreve që janë në pushtimin rus në një “situatë të paqartë”. Po ashtu plani përfshin dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, por nuk specifikon se për çfarë garancish bëhet fjalë.
Më 5 shkurt, Kremlini njoftoi për intensifikimin e kontakteve me SHBA-në sa i përket përpjekjeve për të arritur një zgjidhje për luftën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska është e gatshme të negociojë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht se presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar që të mbajë bisedime me të, pasi ka argumentuar se mandati presidencial i udhëheqësit ukrainas ka përfunduar vitin e kaluar.
Ukraina nuk ka mundur të organizojë zgjedhje pasi është në gjendje lufte që kur nisi pushtimi.
Sipas Kellogg, SHBA-ja po e shqyrton mundësinë e presionit jo vetëm ndaj Moskës, por edhe ndaj Kievit, që palët të ulen në tavolinën e bisedimeve. Më 2 shkurt, ai paralajmëroi se të dyja palët duhet të bëjnë koncesione nëse shpresojnë të negociojnë një zgjidhje për luftën.
Zelensky “veçse ka lënë të kuptohet se do të zbusë qëndrimin”, tha Kellogg më 1 shkurt. “Dhe Putini po ashtu do të duhet të zbusë qëndrimin e tij”. Trump ka insistuar se dëshiron që t’i japë shpejtë fund luftës dhe ka thënë se do të takohet me Putinin sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjatë një adresimi të mërkurën mbrëma, Zelensky tha se Ukraina “ka intensifikuar ndjeshëm” kontaktet me administratën e Trumpit, duke shtuar se ka “kontakte mjaft të rëndësishme edhe me partnerët e tjerë”.
Ndërkaq, gjatë një interviste të publikuar në YouTube më 4 shkurt Zelensky tha se do të pajtohej për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, por në to do të duhej të merrnin pjesë SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
“Nëse njerëzit besojnë se ne duhet të lëvizim në rrugën diplomatike, dhe unë besoj se jemi gati të lëvizim në rrugën diplomatike, aty duhet të jenë SHBA-ja, Evropa, Ukraina dhe Rusia”.
I pyetur gjatë intervistës me gazetarin britanik, Piers Morgan, se si do të dihej të ulej përballë Putinit në një tavolinë negociatash, Zelensky tha: “Nëse është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe për qytetarët e Ukrainës dhe jo për të humbur njerëz, sigurisht që do të shkonim”.
Ai shtoi se “unë nuk do të jem i sjellshëm me të, e konsideroj armik. Të them të drejtën, mendoj se edhe ai më konsideron mua armik”.
Qeveria gjermane tha më 5 shkurt se nënpresidenti amerikan, J.D Vance do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih. Edhe organizatorët e konferencës e konfirmuan pjesëmarrjen e numrit dy të SHBA-së./REL