Izrael, plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

Bota

Izrael, plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 20:42
Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëroi ushtrinë e Izraelit të hartojë një plan për largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës, pas propozimit të Presidentit amerikan Donald Trump për mënyrën se si do të administrohej territori i shkatërruar.

“Kam udhëzuar ushtrinë që të përgatisë një plan për të mundësuar largimin vullnetar të banorëve të Gazës”, tha të enjten ministri i Mbrojtjes Israel Katz, duke shtuar se ata mund të shkojnë “në çdo vend që dëshiron t'i pranojë ata”.

Ministri Katz tha se plani "do të përfshijë opsione për daljet dhe kalimet tokësore, si dhe një marrëveshje të veçantë për largime nga deti dhe ajri".

Zoti Katz mirëpriti "planin e guximshëm" të Presidentit Trump për zhvendosjen e banorëve nga Gaza, e shkatërruar nga sulmet tokësore dhe ajrore izraelite që kishin në shënjestër militantët e Hamasit.

Presidenti Trump të enjten tha se Izraeli duhet t'ia dorëzojë Rripin e Gazës Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të luftës me Hamasin dhe se për këtë nuk do të kishte nevojë për ushtarë amerikanë.

Presidenti Trump, i cili ka bërë thirrje për vendosjen e Gazës nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, publikoi planin e tij në rrjetin Truth Social. Sipas planit të tij, tha ai, më shumë se 2 milionë palestinezë "do të vendoseshin në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne, në rajon".

Zoti Trump nuk tha nëse kjo përfshinte edhe rajonin e Gazës apo nëse vendet e rajoni kanë rënë dakord t'i pranojnë ato.

“Ata në fakt do të kishin një shans për të qenë të lumtur, të sigurt dhe të lirë”, tha ai.

Ndërkohë, Hamasi të enjten u bëri thirrje të gjitha fraksioneve palestineze të bashkohen kundër propozimit të Presidentit Trump për marrjen e Gazës.

Zoti Trump në fillim të kësaj jave tha se mund të paramendonte dërgimin e trupave amerikane në Gaza për të lehtësuar kontrollin amerikan, por tha në një postim tjetër më vonë se me dorëzimin e territorit nga Izraeli, "Nuk do të nevojiteshin ushtarë nga Shtetet e Bashkuara! Stabiliteti për rajonin do të mbretëronte!!!"

Plani i papritur i zotit Trump për marrjen e Gazës, i shpallur në fillim të kësaj jave në një konferencë të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, është kritikuar gjerësisht nga aleatët dhe kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, shumë prej të cilëve përsëriten përkushtimin për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

Zgjidhja me dy shtete ka qenë një qëndrim i gjatë i Shteteve të Bashkuara, por ajo kundërshtohet nga kryeministri izraelit Netanyahu.

Gaza është shkatërruar nga lufta mbi një vjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.

Por në komentet e tij të reja, Presidenti Trump tha: "Shtetet e Bashkuara, duke punuar me ekipe të mëdha zhvillimi nga e gjithë bota, do të fillonin ngadalë dhe me kujdes ndërtimin e asaj që do të bëhej një nga projektet zhvillimore më të mëdha dhe më spektakolare të këtij lloji në Tokë".

Të martën, Presdenti Trump tha se një Gazë e zhvilluar do të bëhej "Riviera e Lindjes së Mesme".

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio i ofroi mbështetje planit të Presidentit Trump të enjten, duke thënë se Rripi i Gazës “nuk është i banueshëm” për shkak të armëve të pashpërthyera dhe rreziqeve të tjera. Ai shtoi se njerëzit do të duhet të jetojnë diku tjetër ndërsa rajoni të rindërtohet.

Sekretari Guterres: Mos e përkeqësoni problemin

Propozimi i Presidentit Trump ka hasur në kritika të gjera, duke përfshirë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

“Në kërkimin e zgjidhjeve, ne nuk duhet ta përkeqësojmë problemin” duke i larguar palestinezët nga Rripi i Gazës, tha zoti Guterres. “Është me rëndësi jetike t'i qëndrojmë besnik themelit të së drejtës ndërkombëtare. Është thelbësore të shmanget çdo formë spastrimi etnik”.

Transferimi me forcë i popullsisë është rreptësisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të përbëjë spastrim etnik.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të mërkurën se propozimet e Presidentit Trump “shkaktojnë shqetësim të thellë tek disa njerëz, madje edhe tmerr” dhe do të ishin “të papranueshme sipas ligjit ndërkombëtar”.

Liga Arabe prej 22 anëtarësh tha se plani i Presidentit Trump “përfaqëson një recetë për destabilitet” dhe nuk do të avanconte perspektivat e shtetësisë palestineze.

“Ata duhet të lejohen në shtëpitë e tyre” tha të mërkurën kryeministri britanik Keir Starmer.

“Ata duhet të lejohen të rindërtojnë vendin e tyre dhe ne duhet të jemi me ta në këtë proces, në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete.”

Pas sugjerimit të Presidentit Trump për kontrollin mbi Gazën, Australia, Kina, Gjermania, Irlanda, Rusia, Arabia Saudite dhe Spanja thanë se ata vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje me dy shtete.

Grupi militant Hamas që Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar si organizatë terroriste tha se propozimi i Presidentit Trump për Gazën ishte një “recetë për krijimin e kaosit dhe tensionit në rajon. Në vend që të mbajë Izraelin përgjegjës për krimin e gjenocidit dhe zhvendosjes, ai shpërblehet, jo ndëshkohet”.

Luftimet në Gazë janë ndalur, përveç sulmeve të herëpashershme, ndërsa vazhdon armëpushimi gjashtë-javor midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi besohet se ende mban rreth 60 robër të gjallë.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, militantët liruan 18 pengje, ndërsa Izraeli ka liruar qindra të burgosur palestinezë.

Më shumë njerëz do të lirohen në javët e ardhshme dhe negociatorët po punojnë për detajet e një faze të dytë të planifikuar të armëpushimit që do t'i jepte fund konfliktit, do të lironte pengjet e mbetura dhe do të shihte tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat