Gjykata Ndërkombëtare Penale kritikon sanksionet amerikane dhe zotohet të vazhdojë punën

Bota

Gjykata Ndërkombëtare Penale kritikon sanksionet amerikane dhe zotohet të vazhdojë punën

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 20:48
Ilustrim

HAGË, Holandë – Gjykata Ndërkombëtare Penale u bëri thirrje të premten vendeve anëtare të kundërshtojnë sanksionet e vendosura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, duke e cilësuar masën si një përpjekje për të "dëmtuar punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore".

Gjykata ka marrë mbështetje në Evropë nga aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara.

“Sanksionimi i GJNP-së kërcënon pavarësinë e gjykatës dhe dëmton sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale në tërësi”, tha Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, i cili kryeson takimet e nivelit të lartë të 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Kjo ishte kritika më e ashpër e drejtpërdrejtë nga një zyrtar i lartë i BE-së ndaj një vendimi të Presidentit Trump, që nga rikthimi i tij në detyrë muajin e kaluar.

Shtëpia e Bardhë lëshoi urdhrin ekzekutiv për GJNP-në të enjten, në përgjigje të atyre që i quajti "veprime të paligjshme dhe të pabaza kundër Amerikës dhe aleatit tonë të ngushtë, Izraelit".

Urdhri i Presidentit Trump ishte një përgjigje ndaj urdhrit të arrestit që Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi vitin e kaluar për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me krimet e dyshuara të luftës në Gazë. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë vende anëtare të gjykatës dhe nuk e njohin autoritetin e saj.

Dhjetëra mijëra palestinezë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë kundërpërgjigjes së ushtrisë izraelite ndaj sulmit të Hamasit në Izraelin jugor në tetor 2023, nga i cili u vranë rreth 1200 persona. Shifra e viktimave palestineze jepet nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila nuk bën dallim ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve.

"Askush nuk qëndron mbi ligjin ndërkombëtar"

Gjykata Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë tha se "dënon" masën e administratës së Presidentit Trump.

“Gjykata qëndron me forcë me punonjësit e saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën”, tha gjykata në një deklaratë.

“U bëjmë thirrje 125 vendeve anëtare, shoqërisë civile dhe të gjitha vendeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në deklaratë.

Gjermania tha se do të presë se cili do të jetë ndikimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, duke sinjalizuar kështu qëndrimin e saj.

“Përkrahja e ligjit ndërkombëtar dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale është në interesin tonë maksimal të sigurisë”, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Gjykata “është një nga arritjet më të mëdha të së drejtës ndërkombëtare penale dhe mbështetet nga mbi 120 shtete”, shtoi ajo.

“Nëse GJNP-ja nuk do të mundej ta vazhdonte më punën e saj, ky do të ishte një nga gëzimet më të mëdha për Putinin”, tha zonja Baerbock. “Në tre vitet e fundit, Putinit iu desh të shohë se krimet e tij kundër njerëzimit, si rrëmbimi i fëmijëve ukrainas, nuk mbeten pa pasoja”.

Ajo vuri në dukje se Presidenti rus Vladimir Putin nuk mundi të udhëtonte për në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të grupit BRICS të ekonomive në zhvillim dhe tha se "askush nuk qëndron mbi ligjin ndërkombëtar".

"Puna e gjykatës është thelbësore"

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se GJNP-ja "duhet të jetë në gjendje të vazhdojë lirisht luftën kundër pandëshkueshmërisë globale. Evropa do të qëndrojë gjithmonë për drejtësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar".

Holanda, vendi ku ka selinë gjykata, e ka kritikuar gjithashtu urdhrin e Presidentit Trump. “Holanda shpreh keqardhje për urdhrin ekzekutiv që vendos sanksione ndaj GJNP-së. Puna e gjykatës është thelbësore në luftën kundër mosndëshkimit”, tha në një deklaratë ministri i Punëve të Jashtme, Caspar Veldkamp.

Zyrtarë të qeverisë holandeze thonë se Holanda është përpjekur ta ndihmojë gjykatën për t’u mbrojtur nga pasojat.

Në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump thuhet se Shtetet e Bashkuara do të impononin “pasoja të prekshme dhe domethënëse” ndaj atyre që janë përgjegjës për “shkeljet” e GJNP-së. Veprimet mund të përfshijnë bllokimin e pronave dhe pasurive, si dhe moslejimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të GJNP-së, punonjësve dhe të afërmve të tyre.

Departamenti amerikan i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit do të përcaktojnë se cilët persona dhe organizata do të sanksionohen.

GJNP-ja tërhoqi zemëratën e Shteteve të Bashkuara në nëntor, kur një trupë gjyqësore lëshoi urdhra arresti për Kryeministrin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe drejtuesin ushtarak të Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën në Gazë.

Urdhër-arrestet thonin se kishte arsye për të besuar se Kryeministri Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, përdorën "urinë si një metodë lufte" duke kufizuar ndihmën humanitare dhe kishin vënë qëllimisht në objektiv civilët në fushatën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë - akuza që zyrtarët izraelitë i mohojnë.

Në rrezik buxheti për personelin dhe hetimet

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

"Sanksionet janë për shkelësit e të drejtave të njeriut, jo për ata që punojnë për t'i vënë para përgjegjësisë shkelësit e të drejtave", tha në një deklaratë Liz Evenson, drejtore e drejtësisë ndërkombëtare në organizatën Human Rights Watch.

“Urdhri ekzekutiv i Trump-it huazon një faqe nga skenari i Rusisë, që ka kërkuar të pengojë punën e gjykatës nëpërmjet urdhër-arresteve për gjyqtarët dhe prokurorët e saj”, shtoi ajo.

Zyrtarët e gjykatës ishin përgatitur për sanksione prej muajsh. Në janar, gjykata i dha personelit tre muaj paga paradhënie, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press dy persona të brendshëm të gjykatës, që folën në kushte anonimiteti.

Nëse Shtetet e Bashkuara i vendosin sanksione vetë gjykatës, kjo mund të dëmtojë operacionet, duke e lënë institucionin në pamundësi që të paguajë stafin, të financojë hetimet ose të ketë qasje në informacionin e ruajtur në serverat në Shtetet e Bashkuara.

Në një përpjekje për të shmangur sanksionet, të paktën dy zyrtarë të lartë të personelit të gjykatës kanë dhënë dorëheqjen që kur u zgjodh Presidenti Trump.

"Veprimet e GJNP-së nuk kanë bazë ligjore"

Në një botë perëndimore gjithnjë e më të polarizuar, Hungaria qëndroi krah për krah me Presidentin Trump.

“GJNP-ja është shndërruar kohët e fundit në një mjet politik të njëanshëm dhe ka diskredituar të gjithë sistemin gjyqësor ndërkombëtar”, tha ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó. “Vendimet e saj kanë kontribuar vetëm në përkeqësimin e pasigurisë në pjesë tashmë të vështira të botës”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa'ar, tha se "veprimet e GJNP-së janë imorale dhe nuk kanë bazë ligjore".

Është hera e dytë që Presidenti Trump i kundërvihet gjykatës. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm në detyrë, ai vendosi sanksione ndaj ish-prokurores Fatou Bensouda dhe një prej zëvendësve të saj për hetimin e saj për akuzat për krime në Afganistan. Ish-Presidenti amerikan Joe Biden i hoqi sanksionet kur mori detyrën në vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat