Trump, Ishiga rikonfirmojnë lidhjet mes SHBA-së dhe Japonisë

Bota

Trump, Ishiga rikonfirmojnë lidhjet mes SHBA-së dhe Japonisë

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 21:05
Pamje nga takimi

Presidenti Donald Trump tha të premten se dëshiron të ulë deficitin tregtar të SHBA-së me Japoninë, ndërsa priti kryeministrin japonez Shigeru Ishiba në Shtëpinë e Bardhë në takimin e tyre të parë.

Zoti Trump shtoi se ai nuk po e përjashton mundësinë e vendosjes së tarifave ndaj Japonisë, por beson se çështja mund të zgjidhet pa ndërmarrë masa ndëshkuese. Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar prej 68 miliardë dollarësh me Japoninë.

"Unë mendoj se do të jetë shumë e lehtë për Japoninë," tha zoti Trump në fillim të takimit të tij në Zyrën Ovale me Ishibën. “Ne kemi një marrëdhënie fantastike. Nuk mendoj se do të kemi ndonjë problem. Edhe ata duan një sistem të drejtë.”

Zoti Ishiba tha se ai e kupton që synimi i zotit Trump është një politikë tregtare e dobishme reciproke. Por ai vuri në dukje se kompanitë japoneze kanë qenë të parët për investimet e huaja direkte në SHBA gjatë pesë viteve të fundit. Ai shtoi se Japonia po kërkon të investojë më shumë në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri gjithashtu vlerësoi Presidentin Trump, duke thënë se ishte frymëzuar nga qëndrimi i tij i qetë pas atentatit ndaj tij që e plagosi në vesh në korrik. Zoti Ishiba shtoi se shumë në Japoni ishin gjithashtu të emocionuar për kthimit të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Ishiba, i cili e mori detyrën në tetor po e bën përparësi lidhjen me zotin Trump. Ai është udhëheqësi i dytë botëror që viziton Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të ri të zotit Trump, pas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Kryeministri Ishiba mbërriti të enjten në mbrëmje për një vizitë afro 24-orëshe në Uashington. Kryeministri japonez do që të sigurohet që SHBA dhe Japonia të kenë marrëdhënie të qëndrueshme me kthimin e zotit Trump dhe politikën e tij "Amerika e para".

Zyrtarët japonezë thonë se duan të ripohojnë aleancën SHBA-Japoni dhe të ndërtojnë lidhje të forta personale mes Kryeministrit Ishiba dhe Presidentit Trump.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan Donald Trump, ka rikthyer trysninë mbi vendet që ai thotë se po shfrytëzojnë Shtetet e Bashkuara.

“Këto vende po vjedhin pasurinë tonë, vendet tona të punës, kompanitë tona”, thotë Presidenti Trump.

Presidenti Trump po kërcënon vendet mike me vendosjen e tarifave dhe ka thënë se Uashingtoni duhet të marrë kontrollin mbi Groenlandën dhe bërjen e Kanadasë shtetin e 51-të të Amerikës.

Takimi i parë i Kryeministrit japonez Shigeru Ishiba me Presidentin Trump ndodh pikërisht në këtë kontekst. Kjo shqetëson shumë njerëz në Tokio, thotë profesori Jeffrey J. Hall.

“Mediat dhe banorët japonezë shpresojnë që Kryeministri Ishiba të mund të dalë nga takimi pa qenë viktimë e një sulmi të ri nga Amerika”, thotë profesori Hall nga Universiteti Kanda.

Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, tensionet SHBA-Japoni u zbutën, pjesërisht për shkak të diplomacisë së ish-Kryeministrit Shinzo Abe.

Kjo qasje mund të jetë e vështirë për Kryeministrin Ishiba, i cili ka një personalitet shumë të ndryshëm.

“Ai është akademik. Atij i pëlqen të flasë me detaje, që mund të jetë gjë e mirë në një debat parlamentar ose në një mjedis tjetër… por mund të ketë ndikim të kundërt në llojin e bisedës që Presidenti Trump pëlqen të bëjë”, thotë profesori Hall.

Disa në Japoni nuk besojnë se është ide e mirë që Kryeministri Ishiba po takohet me Presidentin Trump. Në vend të kësaj, thonë ata, më mirë do të ishte që ai të qëndronte larg radarit të Presidentit Trump për aq kohë sa të ishte e mundur.

Të tjerë thonë se është më mirë të jesh proaktiv, pjesërisht për t'u mbrojtur nga çdo tendosje e ardhshme në aleancë.

“Disa njerëz thonë se takimi nuk është një ide e mirë, por duhet të rrezikosh nëse dëshiron të kesh një marrëdhënie më të mirë”, thotë Mieko Nakabayashi profesore në Universitetin Waseda dhe ish-ligjvënëse japoneze.

Kjo është e njëjta dinamikë me të cilën përballet pothuajse çdo aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Presidenti Trump përsëri ndjek qasjen e tij ‘Amerika e para’ ndaj botës.

Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia Associated Press

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat