Libani formoi një qeveri të re të shtunën, pas ndërhyrjes jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në proces dhe në një hap që synon ta sjellë vendin më afër qasjes në fondet e rindërtimit pas një lufte shkatërruese mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Duke folur për gazetarët në pallatin presidencial, kryeministri i ri Nawaf Salam tha se kabineti 24 anëtarësh do t'i jepte përparësi reformave financiare, rindërtimit dhe zbatimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që shihet si gurthemel për stabilitetin në kufirin e Libanit me Izraelin.
Njoftimi erdhi pas më shumë se tre javë bisedimesh me partitë politike rivale në Liban, ku postet qeveritare janë të ndara sipas sekteve fetare. Ditët e fundit u bllokuan disa kandidatura në nivel ministrash të myslimanëve shiitë, të emëruar zakonisht nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe aleati i tij shiit Amal.
Por Uashingtoni ka kundërshtuar ndikimin e Hezbollahut në krihimin e qeverisë së re.
Zyrtarja amerikane për çështjet e Lindjes së Mesme, Morgan Ortagus tha të premten se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë përfshirjen e Hezbollahut në kabinetin e ri një "vijë të kuqe" dhe falënderuan Izraelin që i dha goditje shkatërruese grupit, një deklaratë e debatueshme, që shkaktoi protesta në Liban./Voa