Trump kërkon anulimin e armëpushimit në Gazë nëse nuk lirohen të gjitha pengjet izraelite

Bota

Trump kërkon anulimin e armëpushimit në Gazë nëse nuk lirohen të gjitha pengjet izraelite

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 11:52
Foto ilustrim

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që armëpushimi në Gazë të anulohet nëse të gjitha pengjet izraelite nuk lirohen deri të shtunën, duke paralajmëruar se "do të shpërthejë ferri" nëse kjo nuk ndodh.

Ai ka shtuar se dëshiron lirimin e të gjitha pengjeve përnjëherë dhe jo në grupe të vogla. Këto deklarata vinë mes tensioneve të vazhdueshme, pasi Hamasi ka shtyrë lirimin e radhës të pengjeve, duke akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Trump ka propozuar gjithashtu që SHBA-ja të “marrë nën kontroll” Gazën, duke e quajtur atë një “vend të shkatërruar” dhe duke sugjeruar që popullsia palestineze të zhvendoset në Jordani dhe Egjipt, raporton BBC.

Megjithatë, të dy vendet kanë refuzuar planin e tij, ndërsa edhe palestinezët e kanë kundërshtuar idenë. Pavarësisht se Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se çdo zhvendosje do të ishte e përkohshme, Trump ka insistuar se palestinezët nuk do të kishin të drejtë kthimi, pasi ai do t’u ndërtonte një vendndodhje “të përhershme” diku tjetër.

Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar, pasi armëpushimi i cili hyri në fuqi më 19 janar ka mundësuar deri më tani lirimin e 16 pengjeve izraelite në këmbim të 566 të burgosurve palestinezë. Izraeli e ka cilësuar shtyrjen e lirimit të pengjeve nga Hamasi si një “shkelje të plotë” të marrëveshjes dhe ka urdhëruar ushtrinë të përgatitet për çdo skenar të mundshëm në Gazë.

Ndërsa Trump përpiqet të ushtrojë presion mbi Jordaninë dhe Egjiptin për të pranuar palestinezët e zhvendosur, zyrtarët në Aman dhe Kajro kanë refuzuar qartë këtë ide.

Ish-zëvendëskryeministri jordanez, Jawad al-Anani, tha për BBC se propozimi i Trumpit “është i pazbatueshëm” dhe “shkel të drejtat themelore të palestinezëve”.

Ai shtoi se çdo dështim për të ofruar një zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze do të çojë vetëm në konflikte të reja në të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat