Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet vitit të saj të katërt, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë që mendon se presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili është aleat i Vladimir Putin, mund të ndihmojë Amerikën për t’i dhënë fund konfliktit.
"Shpresojmë që Kina të na ndihmojë ta ndalim luftën, veçanërisht mes Rusisë dhe Ukrainës... ata kanë shumë fuqi mbi atë situatë, dhe ne do të punojmë me ta", tha Trump muajin e kaluar para elitave politike dhe biznesore të mbledhura në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.
Trump ka thënë se këtë shpresë e ka ndarë me Xi-në gjatë një telefonate disa ditë para inaugurimit të tij muajin e kaluar, raporton CNN News.
Megjithëse Trump mund ta ketë vështirësuar bashkëpunimin me Xi-në duke vendosur një tarifë prej 10 për qind mbi importet kineze, lufta në Ukrainë mbetet një mundësi e rrallë për bashkëpunim, veçanërisht ndërsa Pekini kërkon të shmangë përshkallëzimin e tensioneve tregtare.
“Nëse Trump e sheh bashkëpunimin e Kinës si kyç për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë, Kina mund të tundohet të luajë një rol të dobishëm,” tha Yun Sun nga Stimson Center, duke theksuar se Kina do të ketë kujdes për të mos dëmtuar aleancën me Rusinë.
Kina është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetësuese e paqes, por Perëndimi e sheh atë më shumë si një mbështetëse të Putinit. Xi nuk rrezikon lehtë këtë partneritet, pasi është thelbësor për strategjinë e tij kundër Perëndimit dhe për të riformësuar rendin botëror në favor të Kinës.
Në një tryezë negociatash, Xi do të ishte më shumë aleat i Putinit sesa i Trumpit, gjë që Uashingtoni duhet ta trajtojë me kujdes për të mos izoluar aleatët evropianë apo për të mos arritur një marrëveshje të papranueshme për Ukrainën.
“Pekini nuk dëshiron një Rusi të dobët,” tha Chong Ja Ian nga Universiteti Kombëtar i Singaporit. “Sepse atëherë do të humbiste një partner të rëndësishëm”.