Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin e Jordanisë, Presidenti Donald Trump këmbënguli që ky vend të mbështesë planin e tij për të vendosur kontroll mbi Gazën dhe për të pranuar përgjithmonë palestinezët që do të largoheshin nga aty. Pas takimit, Mbreti jordanez Abdullah tha se ai kishte përsëritur qëndrimin e Jordanisë kundër zhvendosjes së palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, dy udhëheqësit u takuan mes paralajmërimeve për dështimin e mundshëm të armëpushimit të brishtë ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.
Palestinezët në Rripin e Gazës po i druhen rifillimit të luftimeve pas kërcënimit të Hamasit për ta shtyrë lirimin e radhës së pengjeve izraelite, paralajmërimeve të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për fillimin e sulmeve ndaj Gazës nëse pengjet nuk lirohen të shtunën dhe thirrjeve të Presidentit Donald Trump për të anuluar armëpushimin.
“Mjaft patëm luftë. Kemi filluar të kërkojmë vdekjen”, tha banorja e Gazës, Samia Jamal.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump këmbënguli të martën në planin e tij për të vendosur kontrollin mbi Gazën.
“Mendoj se do të jetë një veprim që do të jetë i mrekullueshëm për palestinezët. Do t’u pëlqejë shumë. Unë isha shumë i suksesshëm me biznesin e pasurive të patundshme, janë gjëra që unë i di. Do ta pëlqejnë shumë”, deklaroi Presidenti Trump.
Palestinezët, krahas Jordanisë, Egjiptit dhe shteteve tjera të ndryshme, e kanë kundërshtuar planin e Presidentit Trump për të detyruar 1.9 milionë banorë të Gazës që të largohen në shtetet fqinje.
Por përveçse që pranoi të marrë menjëherë 2 mijë fëmijë nga Gaza që po vuajnë nga kanceri dhe sëmundje të tjera, Mbreti Abdullah e anashkaloi ftesën e Presidentit Trump.
“Duhet ta kemi parasysh që ekziston një plan nga Egjipti dhe shtetet arabe. Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman na ka ftuar për bisedime në Rijad. Çështja është se si ta bëjmë këtë të funksionojë në një mënyrë të dobishme për të gjithë”, deklaroi Mbreti Abdullah.
Pas takimit ai shkroi në platformën X se gjatë takimit me Presidentin Trump ai kishte “përsëritur qëndrimin e palëkundur të Jordanisë kundër zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza dhe Bregu Perëndimor”, duke shtuar se ky është një qëndrim i unifikuar arab.
“Rindërtimi i Gazës pa zhvendosjen e palestinezëve dhe situata e vështirë humanitare duhet të jetë përparësi për të gjithë”, shtoi ai.
Ky takim ishte i rëndësishëm për Mbretin Abdullah, i cili duhet të ruajë marrëdhëniet me aleatin kyç nga ndihmat e të cilit varet Jordania.
Presidenti Trump sinjalizoi të hënën se ai mund të bllokonte ndihmën për Jordaninë, por të martën u tërhoq nga ky qëndrim.
Shumë jordanezë janë pasardhës të palestinezëve të zhvendosur. Mbështetja e planit të Presidentit Trump nga Mbreti Abdullah do të krijonte probleme të mëdha politike dhe ekonomike dhe do t’i hapte rrugën Hamasit, thotë analisti Ghauth al-Omari nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.
“Hamasi do të krijonte jo vetëm probleme të brendshme në aspektin e terrorizmit, por ekziston frika që Jordania pastaj do të shndërrohej në një vend prej nga Hamasi sulmon Izraelin. Këto gjëra do të krijonin kërcënime shumë të mëdha ndaj stabilitetit të Jordanisë dhe ndoshta vetë mbijetesës së shtetit”, thotë analisti al-Omari.
Sipas tij, plani i Presidentit Trump heq stimujt për Hamasin që ta zbatojë armëpushimin. Të hënën, grupi që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, u kërcënua se do të vonojë lirimin e planifikuar të pengjeve, duke akuzuar. Izraelin se po shkel armëpushimin.
Presidenti Trump dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu u përgjigjën me të njëjtin ultimatum.
“Vendimi që u miratua nga kabineti njëzëri është ky: nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tona deri të shtunën në mesditë, armëpushimi do të marrë fund dhe ushtria izraelite do t’i kthehet luftimeve intensive deri në shkatërrimin përfundimtar të Hamasit”, deklaroi Kryeministri Netanyahu.
Izraeli do t’ia dorëzojë Gazën Shteteve të Bashkuara pas luftës, ka thënë Presidenti Trump.
“Nuk do të blejmë asgjë. Do ta kemi dhe do ta mbajmë dhe do të sigurohemi që atje të ketë paqe dhe të mos ketë probleme dhe askush nuk do ta vërë në dyshim”, deklaroi zoti Trump.
Këta banorë të Gazës nuk do të pajtoheshin./VOA